Specialja pranon si provë dokumentin me listën e emrave të disa individëve që pretendohen se janë viktima në rastin e Thaçit dhe tjerëve

Gjykata Speciale në çështjen ndaj ish-krerëve të UÇK-së të martën ka pranuar si provë dokumentin e propozuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), me listë emrash të disa individëve që pretendohen se janë viktimë në këtë çështje gjyqësore

Gjykata Speciale

Trupi gjykues, i udhëhequr nga gjykatësi Charles Smith, në seancën e të martës në çështjen ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, ka pranuar si provë dokumentin e propozuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), me listë emrash të disa individëve që pretendohen se janë viktimë në këtë çështje gjyqësore.

Sipas gjykatësit Smith, ZPS-ja ka ofruar për pranim një dokument i cili përmban një listë emrash të individëve të identifikuar si ‘‘bashkëpunëtorë nga rajoni i Podujevës’’, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pranimin e këtij dokumenti, e ka kundërshtuar mbrojtja me arsyetimin se nuk ka themelësi, por që trupi gjykues ka vendosur që të njëjtin ta pranojë si provë materiale.

“Dokumenti i propozuar është relevant dhe i qartë lidhur me arsyet që çuan në ndalimin e individëve të caktuar të renditur në dokumentin në fjalë, e që pretendohet që të jetë viktima të krimeve në çështjen gjyqësore në fjalë”, tha gjykatësi Smith.

Sipas tij, trupi gjykues është i bindur se dokumenti është ‘prima facie’ autentik dhe provues.

“Duket që është faqja e parë e një dokumenti të policisë ndërkombëtare të UNMIK-ut të sekuestruar nga selia e SHIK-ut”, tha më tej gjykatësi.

Po ashtu, gjykatësi Smith tha se trupi gjykues vëren se ai ka dëgjuar prova që kanë të bëjnë me 4 persona që renditen në listën e dokumentit në fjalë që mbështet në një farë mënyre përmbajtjen dhe besueshmërinë e këtij dokumenti.

“Nuk ka indikacion për vlerën provuese të këtij dokumenti dhe që kjo vlerë provuese zhbën gjykimin ndaj mbrojtjes që do të ishte në gjendje që të mund të lindte në diskutim mospranimin e këtij dokumenti”, tha në vazhdim ai.

Si rezultat, ai tha se trupi gjykues është i bindur që kërkesat e rregullës 188, paragrafi 1 janë  përmbushur, andaj edhe është pranuar ky dokument si provë materiale.

Ndryshe, para një pushimi të shkurtë, ZPS ka përfunduar marrjen në pyetje të dëshmitarin të tetë (me kodin 04323) dhe se seanca po vazhdon me marrjen në pyetje të të njëjtin nga mbrojtja e Thaçit, konkretisht nga avokati Gregory Kehoe në seancë të mbyllur.

Ndryshe, gjatë muajit prill ka filluar gjykimi derisa në seancën e 3 prillit, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe mbrojtësi i viktimave kanë paraqitur deklarimet hyrëse dhe pas leximit të aktakuzës së ndryshuar nga ana e ZPS-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen barrë.

Më 4 prill mbrojtja e Thaçit, Veselit dhe Selimit kanë dhënë fjalën hyrëse derisa më 5 prill mbrojtja e Krasniqit ka dhënë fjalën hyrëse.

Më 11 prill ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë ku dëshmitarja e parë e mbrojtur e Prokurorisë, ka dhënë dëshminë e saj më 11 prill,  12 prill,  13 prill dhe më 17 prill.

Më 17 prill ka filluar dëgjimi i dëshmitarit të dytë, po ashtu i mbrojtur, i cili ka vazhduar dhënien e dëshmisë edhe më 18 prill, 19 prill dhe 20 prill, ku ka përfunduar dhënien e dëshmisë edhe dëshmitari i tretë, kurse më 10 maj ka filluar dhënien e dëshmisë dëshmitari i katërt, dëshmia e të cilit përfundoi më 17 maj.

Tutje, dëshmitari i pestë ka filluar dëshminë më 17 maj dhe e përfundoi më 22 maj, ku filloi dëshminë dëshmitari i gjashtë i cili përfundoi dëshminë më 23 maj, në të njëjtën ditë me dëshmitarin e shtatë.

Kurse, më 12 qershor ka filluar dëshminë e tij dëshmitari i tetë.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika