Spitali Amerikan në Kosovë ka reaguar ndaj rrjedhjes së paautorizuar të aktakuzës ku institucioni përmendet si palë e dyshuar.
Dy ditë më parë, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 8 personave, tre prej tyre juridikë, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale – falsifikimi i dokumentave, dhe – shpëlarje e parave.
Në një deklaratë publike, Spitali Amerikan ka theksuar se ende nuk e ka pranuar zyrtarisht aktakuzën dhe e cilëson këtë rrjedhje si shkelje të rëndë të konfidencialitetit, duke dëmtuar procesin e rregullt ligjor dhe prezumimin e pafajësisë.
“Spitali Amerikan në Kosovë është thellësisht i shqetësuar për rrjedhjen e fundit të paautorizuar të aktakuzës, në të cilën institucioni ynë përmendet në cilësinë e palës së dyshuar. Në këtë moment, as ne dhe as avokati ynë nuk e kemi pranuar zyrtarisht aktakuzën. Kjo shkelje e konfidencialitetit minon parimet themelore të procesit të rregullt ligjor dhe prezumimin e pafajësisë, të cilat janë gurëthemelet e shtetit të së drejtës”, thuhet në reagim.
Sipas deklaratës, publikimi i parakohshëm nga Prokuroria Speciale ka krijuar perceptime publike të njëanshme dhe ka dëmtuar integritetin e procesit gjyqësor.
Spitali kërkon nisjen e hetimeve për të identifikuar përgjegjësit e kësaj shkeljeje dhe u bën thirrje mediave e publikut të përmbahen nga spekulimet.
“Zbulimi i parakohshëm i një informacioni kaq të ndjeshëm ndaj publikut, jo vetëm që komprometon të drejtën për një proces të drejtë, por gjithashtu ngre çështje serioze në lidhje me integritetin e procesit gjyqësor. Autoritetet duhet të fillojnë hetime për shkelje ligjore për shkak të rrjedhjes së aktakuzës në publik dhe të sigurojnë që përgjegjësit të mbahen përgjegjës për shkeljen e konfidencialitetit dhe detyrave zyrtare. Prandaj, presim që organet përgjegjëse të iniciojnë hetimet lidhur me këtë rast”, thuhet tutje nga ana e tyre.
Duke theksuar kontributin e tij në sektorin e shëndetësisë në Kosovë dhe mbështetjen nga partnerët ndërkombëtarë, Spitali Amerikan e cilëson aktakuzën si absurde dhe shpreh përkushtimin për të adresuar çështjen përmes gjykatës.
Ndërkohë, për çdo zhvillim të mëtejshëm do të deklarohet avokati i institucionit pas pranimit zyrtar të aktakuzës.
Spitali Amerikan është investitor i huaj në Kosovë me aksionar SEEF2/SEAF (Southeast Europe Equity Fund) dhe me partnerë institucionalë amerikanë dhe evropianë. Të gjitha vendimet e tij janë marrë në mënyrë kolektive, transparente dhe janë të mbuluara nga Bordi si dhe nga aksionari amerikan. Prandaj, akuzat e bëra nga Prokuroria dhe që janë bërë publike janë absurde. Spitali Amerikan rezervon të drejtën që të mbajë përgjegjëse autoritetet shtetërore të Kosovës dhe zyrtarët e saj për dëmtimin e reputacionit të tij.
Spitali Amerikan ka punësuar mbi 600 profesionistë shëndetësorë në Kosovë. Me investimin dhe punën e saj të palodhshme, Spitali Amerikan i ka kontribuar ndjeshëm arritjeve të shëndetësisë në Kosovë si dhe rritjes së cilësisë së shërbimeve shëndetësore në Kosovë, duke i mundësuar qytetarëve të Kosovës shërbime cilësore pa pasur nevojë që ata t’i kërkojnë këto shërbime jashtë shtetit. Spitali Amerikan do të vazhdojë përkushtimin e tij profesional, ndërsa lidhur me akuzat do të vendosë gjykata, pas vlerësimit të drejtë të fakteve.