Spitali i Përgjithshëm i Gjakovës është deklaruar në lidhje me rastin e vajzës 4-vjecare, e cila vdiq nga arsye ende të pasqaruara mirë.
Në reagim të spitalit, thuhet se “me datë 16 shkurt 2024, rasti ishte referuar nga urgjenca e mjekësisë familjare për në Repartin e Pediatrisë, ku pas konsultimit me pediatrin, ortopedin dhe kirurgun , fëmija ndalohet për trajtim të mëtejmë në repartin e Kirugjisë”.
Sipas tyre, mbikëqyrja ndaj saj ishte profesionale dhe se kur gjendja ka filluar të përkeqësohej është sugjeruar që 4-vjeçares i nevojitet trajtim i mëtejmë në QKUK.
“Konsultimet dhe mbikëqyrja profesionale mjekësore ka vazhduar derisa gjendja ka filluar të përkeqësohet dhe mjekët kanë konstatuar se nevojitet trajtim i mëtejmë në QKUK, pra trajtim në nivelin terciar”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, në reagim thuhet se pas fillimit të hetimeve, spitali ka ofruar të gjithë dokumentacionin e kërkuar.
“Lidhur me rastin në fjalë, ju njoftojmë se Policia e Kosovës dhe Prokuroria kanë filluar hetimet. Spitali i Përgjithshëm në Gjakovë ka ofruar të gjithë dokumentacionin e kërkuar që nga momenti i pranimit të rastit e deri në momentin e referimit të pacientes për QKUK. Shprehim ngushëllime familjes me rastin e humbjes së fëmijës së tyre, bashkëndjejmë me familjen”, thuhet në njoftim.