“Ka qëndrueshmëri në furnizim me tretësirë për infuzion (NaCl 0.9%- 500 mililitra), për asnjë moment nuk ka pasur mungesë në klinikat e QKUK-së dhe spitalet e përgjithshme”.
Kështu kishte deklaruar Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës javë më parë si përgjigje në raportimet për mungesë të tretësirës për infuzion.
Por, se kjo nuk qëndron është dëshmuar nga Spitali i Përgjithshëm i Mitrovicës “Dr. Sami Haxhibeqiri” një natë më parë.
Në mungesë të produkteve bazike siç është ky, siç ka mësuar televizioni, në këtë spital janë anuluar së paku 5 operime të planifikuara në repartin e Kirurgjisë.
E se pacientët po i sigurojnë ato vet, kanë deklaruar edhe familjarë të tyre.
”E kam plakën këtu qe 8 ditë këtu, barnat po më duhet t’i blejë 99 përqind të tyre. Është në repart të kirurgjisë, është operuar. Sa herë të vi duhet të blejë barna se s’kanë kurgjo, edhe infuzionet. Kryesorja po më duhet t’i blejë më shumë se gjysën. Kur i kam dëgju dje pacientat që i kanë lëshu e kanë pasur të operohen prej gurve e gjëra të tjera, s’mundeshim se thonin s’kem kurgjo. Ku jemi na? Kërkund”, ka thënë Emin Xhaferi, bashkëshort i pacientes në repartin e Kirurgjisë.
Ndonëse SHSKUK nuk i është përgjigjur interesimit të televizionit, arsyetimin e dhënë diku tjetër gazetarë të shëndetësisë po e cilësojnë si të paqëndrueshëm.
”Arsyetimi që po jep ShSKUK se ka mungesë të këtij produkti në treg dhe si rezultat spitalet po i racionalizojnë kërkesat e tyre është i papranueshëm sepse SHSKUK ka kontratë me operatorë ekonomik. Atë duhet ta kërkojnë nga operatori ta zbatojnë, s’ka lidhje me tregun privat. Operatori duhet ta kryejë punën edhe nëse s’ka leverdi, sepse ka nënshkruar kontratë”, ka thënë Bujar Vitia, gazetar i shëndetësisë.
E përgjegjësinë nga vetja e ka larguar Ministria e Shëndetësisë, duke thënë se ata i kanë furnizuar institucionet e kujdesit parësor ndërkaq për ato të nivelit dytësor ose tretësor, përgjigje jep ShSKUK-ja.
Ju informojmë se Ministria e Shëndetësisë ka furnizuar të gjitha institucionet e Kujdesit Parësor Shëndetësor me produktin NaCl 0.9% 500ml dhe NaCl 0.9% 100ml, sipas planifikimit dhe kërkesave të rregullta të QKMF-ve në nivel vendi. Andaj, konsiderojmë se nuk ka mungesë të këtij produkti. Sa i përket nivelit dytësor dhe tretësor, luteni që për përgjigje t’i drejtoheni ShSKUK-së, pasi që furnizimi me barna i klinikave dhe spitaleve regjionale bëhet nga vetë ShSKUK si organizatë në vete buxhetore. – Ministria e Shëndetësisë
Përpos tretësirës, në Spitalin e Mitrovicës kanë munguar kanillave, ampula “Deksametazon” dhe penj kirurgjik.
Një shpjegim publik e premtuan gjatë ditës edhe nga Spitali në Mitrovicë por ata nuk e bëjnë një gjë të tillë.