Një udhëzim administrativ të kohës së UNMIK-ut po e zbaton Spitali Rajonal i Mitrovicës.
Deri një ditë më parë, në Emergjencën e këtij Spitali ka qenë i vendosur një mbishkrim, sipas të cilit qytetarët që nuk kanë udhëzim nga mjeku i Qendrës së Mjekësisë Familjare, nuk mund të marrin shërbime pa paguar shumën prej 10 euro.
“Ajo pllakat ka qenë e vendosur që 10 vite dhe nuk u zbatu në mënyrë të veçantë, por unë e kam hequr pasi nuk e kam parë të arsyeshme që e njëjta të jetë e vendosur nëpër muret e Spitalit,” ka thënë Gëzim Berisha- Drejtor mjekësor në Spitalin “Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë.
Megjithëkëtë, Berisha tregon se kjo parashihet me një udhëzim administrativ, që në fakt është i vitit 2007 por që thotë se vlen dhe punojnë bazuar në të.
“Ne punojmë më udhëzimin administrative 04/2007, i cili parasheh që pacientet që vinë në spital pa udhëzim nga mjekësia primare, të bëjnë një pagesë prej 10 euro, të ne kjo nuk është bërë shumë pasi që shumica e pacientëve kanë libreza që i liron nga këto pagesa,” shtoi Berisha.
Pacientët tregojnë se janë të njoftuar me ketë rregull dhe e respektojnë nëse duan të mos paguajnë shumën prej 10 eurosh.
“ Unë e marr udhëzimin të lagjja ime edhe vi kontrollona në repartin që kam nevojë, besoj që për një arsye ata e kanë qit ketë rregull,” tha Fehmi Kadriu, qytetar i Mitrovicës.
Në Emergjencën e Spitalit në Mitrovicë janë trajtuar 2428 pacientë gjatë muajit prill.