381 raste me fruth në Kosovë, 45 të konfirmuara vetëm gjatë javës së fundit
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar se nga 16 prilli deri më 22 nëntor 2026 janë konfirmuar 381 raste me fruth në vend.
Sipas njoftimit të IKShPK-së, 45 raste janë regjistruar vetëm gjatë javës së fundit, ndërsa përhapja e sëmundjes është evidentuar në 26 komuna të Kosovës.
Instituti ka bërë të ditur se pjesa dërrmuese e të prekurve janë fëmijë, ndërsa mbi 95 për qind e rasteve janë te personat që nuk janë vaksinuar me vaksinën MMR, e cila mbron nga fruthi, parotiti dhe rubeola.
"Mbi 95% e rasteve janë te personat e pa vaksinuar me vaksinën MMR, e cila mbron nga fruthi, parotiti dhe rubeola.
Fruthi është sëmundje shumë ngjitëse dhe mund të shkaktojë komplikime serioze, veçanërisht te fëmijët e vegjël. Vaksinimi në kohë është mënyra më e mirë për të parandaluar sëmundjen dhe për të mbrojtur jo vetëm fëmijët, por edhe komunitetin.
IKShPK, në bashkëpunim me institucionet shëndetësore, po vazhdon vaksinimin e rregullt dhe vaksinimin plotësues për fëmijët që kanë mbetur pa vaksinuar ose nuk i kanë marrë të dy dozat e vaksinës MMR. Gjatë këtij viti janë vaksinuar mbi 4,187 fëmijë të moshës 2–5 vjeç përmes aktiviteteve të vaksinimit plotësues.
IKShPK u bën thirrje prindërve që të kontrollojnë kartelat e vaksinimit të fëmijëve dhe, në rast se kanë humbur ndonjë dozë, të kontaktojnë ekipet e vaksinimit për ta plotësuar atë sa më parë.
Duke pasur parasysh përhapjen e fruthit, rekomandohet kujdes i shtuar për fëmijët nën moshën 12 muaj, të cilët ende nuk e kanë marrë vaksinën MMR, duke kufizuar sa të jetë e mundur ekspozimin e tyre në ambiente të mbyllura dhe të mbipopulluara.
Së bashku mund të ndalim përhapjen e fruthit dhe të mbrojmë çdo fëmijë.
Vaksinimi i rregullt + vaksinimi plotësues = fëmijë të mbrojtur", thuhet në njoftim.















