Në emisionin Debat Plus, Maliqi ka deklaruar se 534 mjekë janë pa punë, duke treguar edhe përvojën e tij pas përfundimit të studimeve dhe vështirësitë me të cilat është përballur në kërkim të një vendi pune si mjek.

Ai ka treguar se pas përfundimit të studimeve gjashtëvjeçare në mjekësi, ka kryer edhe praktikën gjashtëmujore, e njohur si stazh, për të fituar përvojën praktike në profesion.

Më pas, ai ka punuar për tetë muaj në sektorin privat të shëndetësisë, ndërsa ka folur edhe për punësimin e mjekëve përmes një marrëveshjeje mes Komunës së Gjilanit dhe kompanisë private “KosovaMed”.

Megjithatë, ai ka thënë se kontrata ishte ndërprerë dhjetë muaj para përfundimit të afatit dyvjeçar, për shkak të problemeve që, sipas tij, kishin lindur lidhur me votimin e buxhetit.

Maliqi ka treguar se gjatë asaj periudhe mjekët ishin paguar me pagë minimale, pa u kompensuar sipas koeficientit përkatës të mjekut të përgjithshëm dhe pa iu paguar kujdestaritë.

“Gjatë asaj periudhe, ne jemi pagu me një rrogë minimale”, ka theksuar ai.