I ftuar në emisionin “Debat Plus”, Ahmeti ka kritikuar mungesën e angazhimit të hershëm të shoqërisë dhe institucioneve të Kosovës lidhur me këtë çështje, duke vlerësuar se është gabuar duke shpresuar në zgjidhje ligjore për një problem që, sipas tij, ka karakter politik.

“Mendoj që gabimin e kemi bërë shumë më herët, prej kohës kur nuk jemi marrë me këtë çështje qysh s’jemi marrë me çështje tjera. Mendoj si shoqëri kemi dështu me u marrë me këtë temë, pasi nuk është vetëm Raporti i Dick Martyt, është cekur disa herë që janë edhe hetimet që janë bërë më shumë. Mendoj se kemi shpresu në zgjidhje ligjore të një çështje politike e kur është problemi politik atëherë zgjidhja nuk është ligjore”, ka deklaruar Ahmeti.

AD PLACEHOLDER

Ai ka thënë se në këtë proces kanë ndikuar interesa të ndryshme gjeopolitike dhe se do të ishte naive të mendohej se gjithçka ka ardhur vetëm nga Serbia dhe Rusia.

Ahmeti ka kërkuar që në fazën e Apelit të ketë angazhim më të madh diplomatik, si dhe mbështetje më të fuqishme për mbrojtjen ligjore të ish-krerëve të UÇK-së.

“Besoj që do të kemi ekip shumë më të fortë në Apel dhe mendoj që ky grupi koordinues në krye me Glauk Konjufcën fokusin duhet ta ketë në diplomaci, financimin e mbrojtjes ligjore dhe të shfrytëzohen të gjitha resurset ndërkombëtare, në mënyrë që të bëhet diçka ndryshe”, është shprehur ai.

Duke folur për deklaratën e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, se presidenti francez Emmanuel Macron e kishte informuar për dënimin, Ahmeti ka thënë se kjo tregon se pala serbe ka qenë më e përgatitur.

“Kur del Vuçiqi e thotë se më ka tregu Macroni për dënimin, do të thotë se ka qenë shumë më i përgatitur. Por, prapë mendoj se duhet të merren më shumë me dënimin e parë edhe me të dytin padyshim, por i pari nëse largohet do të ishte liri për të gjithë”, ka deklaruar Ahmeti.

Ai ka folur edhe për protestat dhe kërkesën e PDK-së për tërheqjen e ligjit, duke thënë se veprimet janë bërë në koordinim me ekipet mbrojtëse të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

“PDK-ja, por mendoj që edhe në këtë rast kanë bërë atë që ju kanë thënë. Mendoj që krejt kjo është bërë për ata që gjinden në Hagë dhe në koordinim me ekipet mbrojtëse të tyre. Nuk mendoj që kanë kërku me tërheq ligjin kokë më vete anëtarët që janë këtu, por është bërë kërkesa e tërheqjes nga ekipet juridike të tyre për arsye të përmirësimit të ligjit”, ka thënë Ahmeti.