Demaku: PDK-ja ishte pothuajse e detyruar për ta tërhequr ligjin për Gjykatën Speciale
Deputeti i PDK-së, Fadil Demaku, ka folur për tërheqjen e ligjit për Gjykatën Speciale, të cilin kjo parti e kishte sponsorizuar dhe dërguar për dekretim te presidentja, por më pas e kishte tërhequr.
Demaku ka thënë se PDK-ja ishte në një formë e kushtëzuar për ta ndërmarrë këtë veprim, duke lënë të kuptohet se kishte pasur ndikim nga faktorë të përfshirë në zhvillimet rreth Gjykatës Speciale.
Duke komentuar këtë çështje pas shpalljes së aktgjykimit ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, Demaku ka thënë se në atë kohë kishte pasur zhvillime të reja dhe kërkesa për ndërhyrje në ligj.
“Pa dashur të amnistojë askënd dhe t’i drejtojë gishtin dikujt, mund të them se PDK-ja ka qenë e detyruar në një mënyrë për tërheqjen e ligjit, pasi ka të bëjë me Gjykatën Speciale dhe atje ka pasur zhvillime të reja, të cilat janë pretenduar se ka nevojë për të bërë disa ndryshime e ndërhyrje që mund ta bëjnë ligjin më të padiskutueshëm”, ka deklaruar Demaku.
Ai ka shtuar se PDK-ja nuk e kishte ndërmarrë këtë veprim pa ndikimin e faktorëve që, sipas tij, ishin të njohur me zhvillimet dhe çështjet juridike që ndërlidheshin me Gjykatën Speciale.
“Për këto çështje nuk mund të them, por mund të them se PDK-ja ka qenë në një formë e kushtëzuar që të bëjë atë veprim që është kërkuar nga faktorë që i njohin këto çështje dhe janë të involvuar në zhvillimet atje, në kuptimin si ekspertë juridikë të këtyre çështjeve, për ta bërë sa më të fuqishëm që të mos kundërshtohet tutje”, u shpreh ai.
Demaku, mes tjerash, e ka kundërshtuar aktgjykimin ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, duke e cilësuar atë si vazhdimësi të vendimit të shtatorit dhe si rezultat të një procesi politik.
Demaku ka thënë se dënimi për pengim të drejtësisë, derisa Thaçi ka qenë për gjashtë vjet në paraburgim dhe nën masa të rrepta kontrolli, sipas tij, nuk ka logjikë dhe nuk përfaqëson drejtësi.
“Vendimi i sotëm është vazhdimësi e vendimit skandaloz që u mor në shtator dhe kjo është vetëm një lloj orkestrimi për të vazhduar atë që kanë nisur. Të dënohet për pengim të drejtësisë e gjatë gjithë kohës për gjashtë vite të jesh në burg nën masa të rrepta e i kontrolluar në të gjitha drejtimet, duke mos u aprovuar asnjë e drejtë e tyre që nga nisja e procesit, dhe të dënohet për këtë, nuk ka as logjikë e as nuk hyn në domenin e drejtësisë. Por, ashtu qysh e tha vetë presidenti Thaçi, kjo është politikë e jo drejtësi”, u shpreh Demaku.
Ai ka pretenduar se Gjykata Speciale është themeluar për qëllime politike dhe se, sipas tij, këtë e ka dëshmuar që nga themelimi.
“Gjykata Speciale ka qenë politike, e krijuar për qëllime politike dhe për të bërë një baraspeshë të asaj që ka ndodhë. Ndryshimet globale kanë bërë që pozicionet e Serbisë e Rusisë dhe partnerëve të saj të jenë ndryshe me kalimin e kohës dhe e gjithë kjo ka qenë politike”, deklaroi Demaku.















