Nga “Dune: Part lll” te “Avengers: Doomsday”, 12 filmat që ia vlen të shikohen në dhjetor
Nga filmi i ri i superheronjve të Marvelit, “Avengers: Doomsday”, te roli i Julianne Moore, që mund t’i sigurojë asaj një nominim për çmimin “Oscar”, BBC ka përzgjedhur 12 filma që ia vlen të shikohen në kinema ose përmes platformave të transmetimit gjatë muajit dhjetor.
1. Dune: Part Three
Pas suksesit të dy filmave të parë, regjisori Denis Villeneuve rikthehet me pjesën e tretë dhe përmbyllëse të trilogjisë fantastiko-shkencore “Dune”. Filmi bazohet në romanin “Dune Messiah”, të shkrimtarit Frank Herbert, të botuar më 1969.
Ngjarjet zhvillohen 17 vjet pas përfundimit të filmit të kaluar, në planetin shkretinor Arrakis, të njohur për krimbat gjigantë të rërës.
Në kastin e filmit janë emra të njohur si Robert Pattinson, Zendaya, Rebecca Ferguson, Jason Momoa, Florence Pugh, Josh Brolin dhe Javier Bardem. Timothée Chalamet rikthehet në rolin e Paul Atreides, i cili tashmë është Perandori Padishah i Universit të Njohur.
Regjisori Villeneuve ka thënë se filmi rikthen të njëjtët personazhe, por me një këndvështrim krejtësisht të ndryshuar për realitetin. Paul Atreides, sipas tij, përballet me pasojat e asaj që ka krijuar dhe përpiqet të gjejë një rrugëdalje nga dhuna.
Premiera ndërkombëtare: 16, 17 dhe 18 dhjetor.
2. Avengers: Doomsday

Pas suksesit të jashtëzakonshëm të “Avengers: Endgame”, filmi me fitimet më të larta në histori, Marvel rikthehet me një tjetër produksion gjigant, “Avengers: Doomsday”.
Studioja ka bashkuar një numër të madh personazhesh nga Universi Kinematografik i Marvelit. Në film rikthehen Chris Evans në rolin e Captain America dhe Chris Hemsworth si Thor, ndërsa pjesë e tij do të jenë edhe personazhet e Fantastic Four dhe X-Men.
Një nga rikthimet më të veçanta është ai i Robert Downey Jr., i cili kësaj radhe nuk do të luajë Iron Man, por personazhin negativ Doctor Doom.
Në regjinë e filmit janë Joe dhe Anthony Russo, të cilët drejtuan edhe “Avengers: Endgame”.
Megjithatë, mbetet të shihet nëse bashkimi i kaq shumë personazheve nga universet e ndryshme do të arrijë të krijojë një histori koherente dhe bindëse.
Premiera ndërkombëtare: 16, 17 dhe 18 dhjetor.
3. The Debut

Pas suksesit kritik dhe komercial të filmit “A Real Pain”, Jesse Eisenberg rikthehet me filmin e tij të tretë si skenarist dhe regjisor, “The Debut”.
Në rolin kryesor është Julianne Moore, e cila luan një amvise të ndrojtur nga New Jersey, që ndihet e pavlerësuar nga bashkëshorti dhe fëmijët e saj.
Në përpjekje për të gjetur një aktivitet jashtë rutinës familjare, ajo vendos të provojë veten në një muzikal të organizuar nga një grup lokal teatri. Por gjithçka ndryshon kur regjisori i shfaqjes, i luajtur nga Paul Giamatti, e ndihmon të shprehë emocionet e saj.
Rezultati është një komedi me situata të pazakonta dhe shpërthyese, ndërsa interpretimi i Moore po shihet si një nga rolet që mund ta çojnë atë drejt çmimeve “Oscar”.
Kritiku Barry Levitt, nga revista “Time Out”, e ka vlerësuar filmin si jashtëzakonisht argëtues dhe inteligjent, ndërsa interpretimin e Moore e ka cilësuar mbresëlënës.
Premiera: 11 dhjetor në SHBA, 18 dhjetor në Kanada, 8 janar në Irlandë dhe 15 janar në Mbretërinë e Bashkuar.
4. Ray Gunn

Regjisori Brad Bird, i njohur për filmat e animuar “The Incredibles” dhe “Ratatouille”, sjell filmin fantastiko-shkencor “Ray Gunn”, një projekt që e ka planifikuar që nga vitet 1990.
Ngjarjet zhvillohen në qytetin futurist Metropia, ku makinat fluturuese dhe pajisjet raketore janë pjesë e përditshmërisë. Megjithatë, filmi ndërthur teknologjinë futuriste me stilin e filmave detektivë të viteve 1930 dhe 1940.
Sam Rockwell i jep zërin Raymond Gunnit, detektivit të fundit privat njerëzor në qytet. Tom Waits interpreton ndihmësin e tij alien me një sy, ndërsa Scarlett Johansson është zëri i një ylli të muzikës pop, i përfshirë në një komplot kriminal.
Kritiku David Jenkins, nga revista “Little White Lies”, e ka vlerësuar filmin për skenarin, dialogët dhe skenat dinamike të aksionit.
Premiera: 4 dhjetor në SHBA dhe Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa më 18 dhjetor në Netflix në mbarë botën.
5. 14th

Dokumentari “14th”, me regji të Ava DuVernay, trajton historinë dhe ndikimin e Amendamentit të 14-të të Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara, i cili lidhet me shtetësinë dhe të drejtat civile.
Amendamenti u miratua më 1868, pas Luftës Civile Amerikane, me synimin për të përcaktuar statusin dhe të drejtat e personave të liruar nga skllavëria.
Sipas regjisores, debatet rreth këtij amendamenti vazhdojnë edhe sot dhe janë bërë edhe më të ashpra.
Dokumentari konsiderohet vazhdimësi tematike e filmit të saj “13th”, i cili u nominua për çmimin “Oscar” në kategorinë e dokumentarit më të mirë në vitin 2017.
Kritiku Adrian Horton, nga “The Guardian”, e ka vlerësuar dokumentarin për trajtimin e qartë të temës dhe rëndësinë e tij në një kohë kur demokracia amerikane po përballet me sfida të mëdha.
Premiera: 4 dhjetor në Netflix, në mbarë botën.
6. Artificial

Filmi “Artificial”, me regji të Luca Guadagninos, trajton zhvillimin e inteligjencës artificiale dhe përplasjet rreth kontrollit të saj.
Produksioni, i financuar nga Amazon MGM Studios, fillimisht ishte planifikuar të shpërndahej nga kompania, por pas investimit të Amazonit në OpenAI, u njoftua se filmi nuk do të publikohej prej saj.
Andrew Garfield luan rolin e Sam Altmanit, bashkëthemeluesit të OpenAI. Yura Borisov interpreton shkencëtarin Ilya Sutskever, i cili beson se inteligjenca artificiale e përgjithshme mund ta shpëtojë botën. Ndërkaq, Mark Rylance luan Geoffrey Hintonin, të njohur si një nga figurat themeluese të inteligjencës artificiale, ndërsa Ike Barinholtz interpreton Elon Muskun.
Filmi trajton përplasjen mes idealizmit dhe interesave komerciale, sigurisë së inteligjencës artificiale dhe rreziqeve që mund të vijnë nga zhvillimi i pakontrolluar i saj.
Kritikja Caryn James, në vlerësimin e saj për BBC-në, thekson se filmi ngre një pyetje thelbësore: kush duhet ta kontrollojë inteligjencën artificiale dhe, rrjedhimisht, të ardhmen e njerëzimit?
Premiera: 25 dhjetor në SHBA dhe Kanada, ndërsa më 22 janar në Mbretërinë e Bashkuar.
7. Werwulf

Regjisori Robert Eggers, i njohur për filmin “Nosferatu”, rikthehet me një tjetër histori horror, këtë herë të vendosur në Evropën e shekullit XIV.
Filmi “Werwulf” sjell historinë e një fermeri, të luajtur nga Aaron Taylor-Johnson, i cili shndërrohet në një krijesë me gëzof dhe dhëmbë të mprehtë sa herë që shfaqet Hëna e plotë.
Lily-Rose Depp luan bashkëshorten e tij, ndërsa Willem Dafoe interpreton një gjuetar të fiksuar pas kapjes së krijesës.
Ngjarjet zhvillohen në një mjedis të zymtë, me peizazhe të mjegullta dhe atmosferë të errët, tipike për filmat e Eggersit.
Regjisori ka thënë se pas “Nosferatu” kishte vendosur të shkruante historinë më të frikshme që mund të krijonte, ndërsa “Werwulf” është, sipas tij, filmi më i errët që ka shkruar.
Premiera: 25 dhjetor në SHBA dhe Kanada, ndërsa më 1 janar në Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandë.
8. Tender Loving Care

Regjisori britanik Mike Leigh, i cili prej 55 vjetësh realizon filma komedi-dramë, rikthehet me “Tender Loving Care”, një film që mund të jetë edhe i fundit në karrierën e tij.
Leigh, i njohur për filma si “Life is Sweet”, “Secrets & Lies” dhe “Hard Truths”, vazhdon të trajtojë jetën e përditshme, marrëdhëniet njerëzore dhe vështirësitë sociale.
Në film luajnë Alice Bailey Johnson dhe Kate O’Flynn, të cilat interpretojnë Rosie dhe Amy, dy shoqe të ngushta rreth të tridhjetave që jetojnë së bashku në Londrën Perëndimore.
Të dyja punojnë si punonjëse sociale dhe përpiqen të ruajnë optimizmin edhe kur përballen me njerëz dhe situata të vështira. Megjithatë, jeta e tyre vihet në provë kur në familje shfaqet një rast i demencës.
Kritiku Brian Tallerico, nga “RogerEbert.com”, e ka cilësuar filmin si një përmbyllje të bukur dhe prekëse të karrierës së Leighut, duke e vlerësuar ndër veprat e tij më të mira.
Premiera: 4 dhjetor në SHBA, ndërsa më 12 shkurt në Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandë.
9. Behemoth!

Regjisori dhe skenaristi Tony Gilroy, i njohur për filmin “Michael Clayton” dhe serialin “Andor”, sjell filmin “Behemoth!”, me Pedro Pascalin në rolin kryesor.
Pascal interpreton Alexin, një violonçelist të talentuar, i cili ka luajtur në orkestra prestigjioze në mbarë botën, por është kthyer në qytetin e tij të lindjes, Los Angeles, për të interpretuar muzikë për kolonat zanore të filmave.
Për këtë rol, aktori është dashur të mësojë të luajë violonçel nga fillimi.
Jeta personale e Alexit është po aq e ndërlikuar sa historitë e filmave për të cilët interpreton. Ai përballet me vëllanë e tij, të luajtur nga Will Arnett, nënën e sëmurë, të luajtur nga JoBeth Williams, si dhe me dy ish-partnere, të interpretuara nga Olivia Wilde dhe Eva Victor.
Një element qendror i filmit është edhe muzika. Për realizimin e saj janë angazhuar nëntë kompozitorë, të cilët kanë punuar së bashku nën emrin “Behemoth! Collective”.
Kritiku Zachary Lee, nga “The Wrap”, e ka vlerësuar ndërthurjen e imazhit dhe muzikës, duke theksuar se filmi është një përvojë që duhet përjetuar përmes të dyjave.
Premiera: 4 dhjetor në SHBA, Mbretërinë e Bashkuar, Kanada dhe Irlandë.
10. Rose

Aktorja gjermane Sandra Hüller rikthehet me një rol kryesor në filmin “Rose”, dramë historike bardhezi me regji të Markus Schleinzer.
Filmi rrëfen historinë e një gruaje që lufton për të fituar një vend në një shoqëri të dominuar nga burrat. Personazhi i saj, i cili ka marrë pjesë në Luftën Tridhjetëvjeçare, paraqitet si burrë dhe pretendon një fermë në Gjermani, e cila i kishte takuar një bashkëluftëtari të vrarë.
Por mashtrimi i saj rrezikon të zbulohet nga banorët e fshatit, të cilët fillojnë të dyshojnë për identitetin e saj të vërtetë.
Kritiku Ryan Lattanzio, nga “IndieWire”, e ka cilësuar filmin si një vepër jashtëzakonisht prekëse, ndërsa interpretimin e Hüller e ka vlerësuar për fuqinë emocionale.
Premiera: 11 dhjetor në SHBA, ndërsa më 5 shkurt në Mbretërinë e Bashkuar.
11. Clarissa

Filmi “Clarissa”, i realizuar nga regjisorët Arie dhe Chuko Esiri, është një përshtatje moderne e romanit “Mrs Dalloway”, të shkrimtares Virginia Woolf, botuar më 1925.
Historia, e cila në roman zhvillohet në Angli ndërmjet dy luftërave botërore, zhvendoset në Lagos të Nigerisë së sotme.
Sophie Okonedo luan Clarissan, një grua nga shtresa e lartë shoqërore, e cila duket se ka një jetë të përmbushur, ndërsa përgatitet të organizojë një festë në shtëpinë e saj elegante.
Megjithatë, mendimet e saj kthehen vazhdimisht te një verë e shumë viteve më parë, kur ishte e dashuruar me një poet të ri.
David Oyelowo luan poetin tashmë në moshë të mesme, i cili rikthehet në jetën e Clarissës dhe e bën atë të reflektojë për ndryshimet që kanë ndodhur ndër vite.
Kritikja Tomris Laffly, nga revista “Elle”, e ka vlerësuar filmin si një riinterpretim të bukur dhe një vepër që trajton tema të identitetit, dallimeve klasore dhe pasojave të kolonializmit.
Premiera: 11 dhjetor në SHBA dhe Kanada.
12. La Gradiva

Filmi “La Gradiva” shënon debutimin regjisorial të Marine Atlan dhe po vlerësohet si një nga filmat më të rëndësishëm të zhanrit të rritjes dhe kalimit nga adoleshenca në moshën madhore.
Në qendër të historisë është një mësuese e gjuhës latine, e interpretuar nga Antonia Buresi, e cila shoqëron nxënësit e saj nga Parisi në një udhëtim shkollor në Pompei dhe Napoli të Italisë.
Një veçanti e filmit është se shumica e adoleshentëve interpretohen nga aktorë pa përvojë të mëparshme, të cilët regjisorja i ka zbuluar në rrugët dhe shkollat e Parisit.
Filmi nis si një udhëtim i zakonshëm shkollor, por gradualisht shndërrohet në një histori prekëse për humbjen, ankthin e adoleshencës dhe përballjen me realitetin e moshës së rritur.
Kritiku Jordan Mintzer, nga “The Hollywood Reporter”, e ka vlerësuar filmin për mënyrën e natyrshme të paraqitjes së personazheve dhe për ndjeshmërinë me të cilën trajton përvojat e tyre.
“La Gradiva” ka fituar Çmimin e Madh të Javës së Kritikës në Festivalin e Filmit në Kanë.
Premiera: 18 dhjetor në SHBA, ndërsa më 1 janar në Mbretërinë e Bashkuar.















