FSK-ja zhvillon qitje me mortaja 120 mm në Bizë të Shqipërisë
FSK ka zhvilluar aktivitet me mortaja 120 mm në kuadër të bashkëpunimit ushtarak mes Kosovës dhe Shqipërisë
Bateritë e Regjimentit të Mbështetjes Luftarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë zhvilluar qitje me municion luftarak në poligonin e Bizës, në Shqipëri.
Sipas njoftimit të FSK-së në Facebook, gjatë stërvitjes u përdorën mortaja të kalibrit 120 milimetra të sistemit Vuran.
Stërvitjen e ndoqi nga afër komandanti i Komandës së Forcave Tokësore, gjeneralbrigade Mehmet Lladrovci, i shoqëruar nga stafi i tij dhe atasheu ushtarak i FSK-së në Shqipëri. Të pranishëm ishin edhe përfaqësues të Forcave Tokësore të Shqipërisë.

Sipas FSK-së, vizita kishte për qëllim të vlerësonte planifikimin dhe zhvillimin e qitjes me zjarr indirekt. FSK-ja vlerësoi profesionalizmin e pjesëtarëve të regjimentit dhe respektimin e procedurave të sigurisë gjatë stërvitjes.
Lladrovci ka falënderuar përfaqësuesin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë për mbështetjen e vazhdueshme dhe pjesëtarët e regjimentit për angazhimin në zhvillimin e kapaciteteve operacionale të njësisë.















