Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka uruar Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, duke kujtuar rëndësinë e Kongresit të Manastirit dhe kontributin e mësuesve që ua përcjellin shqipen brezave të rinj.

Në një postim në Facebook, Haxhiu kujtoi se më 22 nëntor 1908, delegatët nga trevat shqiptare dhe mërgata arritën marrëveshjen për alfabetin e përbashkët. Ajo tha se rilindasit, me gjithë dallimet në besim dhe në të folur, e vunë gjuhën dhe interesin kombëtar mbi ndarjet mes tyre.

“Sot, një fëmijë në Gjilan dhe një tjetër në Korçë i mësojnë shkronjat e para të shqipes, ashtu siç i mësojnë edhe fëmijët shqiptarë në Zvicër, Gjermani, Amerikë e kudo në mërgatë”, ka shkruar Haxhiu.

Ajo e cilësoi shqipen si pasuri që i bashkon shqiptarët dhe u uroi punë të mbarë e suksese mësuesve, duke vlerësuar punën e tyre për ta mbajtur gjuhën gjallë ndër breza.