Kabashi: Vendimi për të mos e miratuar ligjin për Specialen është më i miri
Gazetari dhe analisti Bekim Kabashi ka vlerësuar se vendimi për të mos vazhduar me miratimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, por për të nisur një ligj të ri nga fillimi, është zgjidhja më e mirë, pasi ligji i miratuar më herët ishte kontestuar nga presidentja për shkak të disa vërejtjeve.
Në Debat Plus, Kabashi ka shpjeguar se pas kthimit të ligjit nga presidentja, PDK-ja kishte shqyrtuar disa mënyra për ta proceduar tutje, përfshirë mundësinë e ndryshimit të tij përmes amendamentimit.
Sipas tij, një nga opsionet ishte që Kuvendi ta rrëzonte veton e presidentes dhe ta vinte ligjin në fuqi, për t'u hapur më pas mundësia e amendamentimit. Megjithatë, ai tha se procedura dhe kufizimet kushtetuese e komplikonin këtë proces.
“Mendoj që e kanë marrë vendimin më të mirë, që nuk po e miratojnë këtë ligj. Se ky ligj është kontestuar nga presidenti. Presidenti nuk e ka dhënë nënshkrimin, ka gjet disa gabime. Ka mund me u ndryshu në dy forma. Me amandamentimin e ligjit... PDK e ka vërejte që ligji ka disa vërejtje dhe ka kërkuar prej presidentes ta kthejë për ta ndryshuar ligjin. Fillimisht është menduar forma, sepse meqë presidentja nuk i ka bërë kërkesat ku i ka vërejtjet ligji, nuk mundesh me amendamentu ligjin dhe me ia kthy presidentes me votu, sepse nuk e lejon një vendim i Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Kabashi.
Ai ka treguar se një tjetër rrugë e shqyrtuar ishte rrëzimi i vetos së presidentes, pas së cilës Kuvendi do të mund ta kthente ligjin për amendamentim, por në fund është arritur pajtimi që të mos vazhdohet fare me atë ligj.
“Dhe në çfarë formë ka mund me u bë ndryshimi, me atë që fillimisht PDK e kërkoi, me ia hedh poshtë veton presidentes dhe shti në fuqi. Dhe pastaj është e drejtë e Kuvendit që një ligj i miratuar të kthehet prapë në Kuvend për amendamentimin. Është menduar kjo formë. Dhe në fund kanë ardh në pajtimin me LVV që nuk po shkojnë fare me këtë ligj, por këtë ligj po e hedhim poshtë. Dhe po fillojmë po e ndërtojmë një ligj për këtë çështje prej fillimit”, është shprehur ai.
Kabashi ka thënë se ngutia për miratimin e ligjit ishte e ndërlidhur me situatën politike në vend, konkretisht me procesin e zgjedhjes së presidentit dhe rrezikun e shkuarjes në zgjedhje të reja.
Sipas tij, në atë kohë ekzistonte frika se vendi mund të mbetej pa Kuvend dhe pa deputetë që do të mund ta votonin ligjin, duke e futur Kosovën në një tjetër krizë politike.















