Gjatë raportimit, Muhaxheri ka folur për kushtet në objektin e Qendrës për Punë Sociale (QPS), buxhetin e ndarë për personat në nevojë, si dhe mungesën e stafit në këtë institucion.

Fillimisht, ai ka deklaruar se Komuna e Pejës është angazhuar për krijimin e kushteve më të mira për punën e Qendrës për Punë Sociale, duke theksuar se në vitin 2022 është ndërtuar objekti i ri.

“Si kryetar i komunës jam mundu me siguru mjetet dhe kushtet për punë sociale, e cila një kohë të gjatë nuk ka qenë në kushte të mira, ka ndërruar edhe objekte. Në vitin 2022 kemi ndërtu një objekt të ri”, tha Muhaxheri.

Ai foli edhe për buxhetin që komuna ndan për të ndihmuar personat në nevojë, përfshirë rastet e dhunës dhe personat që kanë nevojë për strehim.

“Jemi mundu me mjetet që i ka Komuna e Pejës me i nda buxhet i cili ndahet për me i ndihmu personat që kanë nevojë për ndihmë, që kanë nevojë për strehim dhe raste të dhunës, për me i siguru qiranë apo strehim të përkohshëm”, deklaroi ai.

I pyetur nëse ka qenë i njoftuar për mungesat në staf, Muhaxheri tha se në drejtori ka pasur vetëm një pozitë të paplotësuar, për të cilën, sipas tij, ishte hapur konkursi, por kishte dështuar.

Ndërkaq, duke folur për rastet e tjera dhe mungesën e punëtorëve, kryetari i Pejës përmendi edhe dhjetë pozita të bllokuara, të cilat, sipas tij, kanë mbetur të paplotësuara për shkak të mungesës së udhëzimeve dhe aprovimit të buxhetit.

“Ne përmes drejtorisë i kemi drejtuar ministrisë, sepse që katër vjet i kemi 10 vende të punës të bllokuara, jo për qendrën për strehimin e fëmijëve, të cilën ne si komunë e kemi ndërtuar – domethënë është ndoshta e vetmja komunë që e ka ndërtuar këtë qendër – edhe kemi menduar me e hapur sivjet. Për mungesë të udhëzimit se si ka munguar regrutimi, çka ka kërkuar ajo ministria për këtë staf, kemi mbetur pa e shpallur konkursin edhe nuk kemi shpallur konkurs. Domethënë, ne si komunë kemi ndarë personel prej Inspektoratit, prej Urbanizmit, prej Shërbimeve Publike dhe jemi qenë të detyruar me i bë 10 vende pune që figurojnë gati që tre vjet, që s’jonë të rekrutuara, s’jonë me i mbuluar si paga edhe si staf, sepse s’na kanë aprovuar buxhetin e vitit diku 2022, po e pastaj kështu”, tha Muhaxheri.

Muhaxheri u pyet edhe nëse personat që përballen me dhunë apo probleme të tjera mund t’i drejtohen drejtpërdrejt kryetarit të komunës.

Ai tha se qytetarët mund të adresohen edhe tek ai, duke theksuar se i pret çdo të enjte, por edhe gjatë ditëve të tjera të javës.

“Zakonisht personat që kanë probleme munden mu adresu edhe te kryetari, por ne i adresojmë te Qendra për Punë Sociale. Unë i pres çdo të enjte, por i pres edhe çdo ditë, e dinë qytetarët”, tha ai./EO