Përmes një njoftimi, QKUK-ja ka bërë të ditur se komisioni i posaçëm, i formuar në mars të këtij viti, ka verifikuar gjendjen pronësore në bashkëpunim me Drejtorinë e Kadastrit të Komunës së Prishtinës.

Verifikimi është realizuar përmes ortofotove dhe planeve kadastrale, ndërsa sipas të dhënave të kadastrit, brenda oborrit të QKUK-së nuk figuron asnjë pronë private.

Tutje, QKUK-ja ka njoftuar se u ka dërguar dy njoftime zyrtare shfrytëzuesve të lokaleve afariste dhe kioskave, duke u kërkuar që të dëshmojnë bazën ligjore për shfrytëzimin e këtyre hapësirave.

Megjithatë, sipas QKUK-së, asnjëri prej tyre nuk ka paraqitur certifikatë pronësie apo dëshmi se objekti është në proces legalizimi. Dokumentet e dorëzuara, sipas institucionit, përfshijnë kontrata të skaduara dhe aktvendime të paregjistruara në kadastër.

QKUK-ja ka bërë të ditur se tashmë i ka në dispozicion të gjitha instrumentet ligjore për të ndërmarrë veprime.

“Me konfirmimet kadastrale dhe rekomandimet zyrtare si nga Inspektorati Komunal, ashtu edhe nga ai i MMPHI-së, menaxhmenti i QKUK-së tashmë ka në dorë të gjitha instrumentet ligjore dhe do t’i përdorë për t’ua kthyer pacientëve e qytetarëve pronën publike”, thuhet në njoftim.