Sipas Ramës, Komuna e Prishtinës kishte dhënë lejen për vendosjen e muralit, ndërsa ai ka kërkuar nga Policia e Kosovës të sqarojë se mbi çfarë baze është ndaluar realizimi i këtij projekti.

Në një postim në Facebook, Rama ka thënë se, sipas ekipit që po e vendoste muralin, polici në vendngjarje kishte deklaruar se urdhri për ndalimin e punimeve kishte ardhur “nga lart”.

“SKANDALOZE! Kujt i përgjigjet shteti ynë? Urdhrave politikë?! Sonte u pengua vendosja e muralit të Nënës Terezë në Prishtinë. Komuna e Prishtinës, që lëshon lejet për hapësirat publike n’Kryeqytet, e kishte dhënë lejen për vendosjen e muralit”, ka shkruar Rama.

Ai ka kërkuar që Policia ta sqarojë publikisht këtë deklaratë, ta identifikojë personin që ka dhënë urdhrin dhe të bëjë publik vendimin mbi të cilin është bazuar ndërhyrja.

“Kush është ‘lart’ në Kosovë? Kush mund ta ndalë me një fjalë goje një punë për të cilën Komuna ka dhënë leje? Kërkoj llogari nga Policia e Kosovës. Me çfarë vendimi u ndalua vendosja? Mbi cilën bazë ligjore? Kush e kërkoi ndërhyrjen dhe kush e urdhëroi? Kush bëri presion politik mbi Policinë”, ka shkruar ai.

Ndërkaq, në mbledhjen e 6 nëntorit, Asambleja Komunale e Prishtinës kishte mbështetur vendosjen e një murali kushtuar Nënës Terezë. Sipas diskutimeve në atë mbledhje, projekti ishte paraparë të kushtonte rreth 15 mijë euro.