Roja Bregdetare e Finlandës njoftoi se anija e mallrave “Sparta II” po tërhiqet jashtë ujërave finlandeze, pasi gjendja e saj është vlerësuar mjaftueshëm stabile për të nisur operacioni.

Ushtria finlandeze ka deklaruar se sulmi ndaj anijes, të shtunën, dyshohet se është kryer nga Ukraina. Pas goditjes, anija kishte dalë nga kursi dhe kishte përfunduar në ujërat territoriale të Finlandës, raporton BBC.

Të 16 anëtarët e ekuipazhit u evakuuan në një anije tjetër ruse që ndodhej pranë. Njëri prej tyre pësoi lëndime të lehta.

“Pamjet nga kamerat termike tregojnë se disa kontejnerë janë ende të nxehtë, por anija është mjaftueshëm stabile për të nisur tërheqja”, thuhet në njoftimin e Rojës Bregdetare finlandeze.

Sipas autoriteteve finlandeze, përgjegjësia për operacionin e shpëtimit do t’i kalojë Rusisë sapo anija të dalë nga ujërat finlandeze.

Gjatë operacionit për shuarjen e zjarrit u angazhuan shtatë anije: dy ruse, dy estoneze dhe tri finlandeze. Ato përdorën topa uji për të shuar flakët dhe për të ftohur kontejnerët e vendosur në kuvertën e anijes.

Anija “Sparta II”, e cila ishte nisur drejt enklavës ruse të Kaliningradit, u dëmtua në ujërat ndërkombëtare, në perëndim të ishullit rus Gogland, sipas Forcave të Mbrojtjes së Finlandës.

Ndërkohë, Ukraina ka kryer gjatë këtij viti disa valë sulmesh me dronë ushtarakë në rajonin e Leningradit, në veriperëndim të Rusisë. Disa prej dronëve kanë përfunduar edhe në hapësirën ajrore të vendeve baltike, duke ngritur shqetësime për përhapjen e luftës në territorin e NATO-s.

Finlanda dhe Estonia janë anëtare të NATO-s dhe mbështetëse të Ukrainës. Marrëdhëniet e tyre me Moskën mbeten të tensionuara. Finlanda i ka mbyllur të gjitha pikat kufitare tokësore me Rusinë në vitin 2023, ndërsa Estonia pritet ta mbyllë kufirin e saj nga 1 dhjetori për një periudhë gjashtëmujore, për arsye sigurie.