Shiroka Pula takon ambasadorin belg, diskutojnë integrimin euroatlantik dhe bashkëpunimin ekonomik
Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka pritur në takim ambasadorin e Belgjikës në Kosovë, Arnaud Dusaucy, me të cilin ka diskutuar për marrëdhëniet dypalëshe dhe perspektivën euroatlantike të vendit.
Siç bën të ditur Presidenca, gjatë takimit, Shiroka Pula ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Belgjikës ndaj Kosovës, duke ritheksuar se anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe në NATO mbetet ndër objektivat strategjike të shtetit.
Ajo ka vlerësuar mbështetjen belge për procesin e integrimit evropian dhe anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, njofton Dukagjini.
Një tjetër temë e diskutimit ka qenë zgjerimi i bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve. Presidentja ka përmendur si fusha me potencial për bashkëpunim teknologjinë informative, shërbimet digjitale, energjinë e ripërtëritshme, infrastrukturën, bujqësinë, arsimin, kulturën dhe turizmin.
Shiroka Pula ka theksuar se Kosova ofron mundësi për investime dhe ka shprehur gatishmërinë për të nxitur kontaktet dhe bashkëpunimin ndërmjet bizneseve të të dyja vendeve.















