Sulme të reja ruse në Kiev, goditen dy ura mbi lumin Dnipro
Dy ura kryesore në kryeqytetin ukrainas, Kiev, janë goditur nga sulmet me raketa balistike ruse, ka bërë të ditur kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko.
Sipas tij, raketat kanë goditur urat Veriore dhe Jugore, të cilat lidhin dy pjesët e qytetit përmes lumit Dnipro. Si pasojë e sulmeve, janë dëmtuar edhe infrastruktura kritike, ndërsa në disa zona janë raportuar ndërprerje të furnizimit me ujë dhe energji elektrike, si dhe të ngrohjes.
Zyrtarët ukrainas kanë bërë të ditur se nga sulmet e natës janë dëmtuar edhe disa linja të metrosë nëntokësore dhe ato mbitokësore. Banorët ishin udhëzuar të strehoheshin në objektet e mbrojtjes civile gjatë sulmeve ajrore.
Tetë ura kryesore kalojnë mbi lumin Dnipro dhe lidhin pjesët perëndimore dhe lindore të Kievit. Rreth tre milionë banorë mbështeten në këto ura për të lëvizur nëpër kryeqytet.
Ndërkohë, Ukraina ka goditur për të dytën ditë radhazi urën e Kerçit, e cila lidh Rusinë me gadishullin e Krimesë, të pushtuar dhe aneksuar nga Moska në vitin 2014.
Guvernatori i Krimesë i emëruar nga Rusia, Sergei Aksyonov, ka bërë të ditur se nga sulmi janë vrarë dy persona, ndërsa qarkullimi mbi urë është pezulluar. Ende nuk dihet shkalla e dëmeve të shkaktuara në këtë strukturë, e cila është sulmuar disa herë nga forcat ukrainase.
Sulmet e fundit ndodhën në kohën kur zyrtarë amerikanë, ukrainas dhe evropianë zhvilluan bisedime për përfundimin e luftës, tashmë në vitin e pestë të saj.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, kishte paralajmëruar më herët për sulme të mundshme të reja ruse gjatë natës së së hënës.
Bisedimet online u zhvilluan me pjesëmarrjen e të dërguarit amerikan Jared Kushner dhe të dërguarit të posaçëm të SHBA-së, Steve Witkoff. Pas takimit, Kushner tha se Uashingtoni është i përkushtuar për t'i ofruar Ukrainës garanci të forta dhe të besueshme të sigurisë, si dhe një rrugë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Ai theksoi gjithashtu se NATO-ja do të mbetet një shtyllë e rëndësishme e sigurisë evropiane dhe paralajmëroi për një takim tjetër shumëpalësh në të ardhmen e afërt.
Zelensky e cilësoi takimin si të vështirë, duke theksuar se nevojitet më shumë mbështetje për mbrojtjen e Ukrainës nga sulmet me raketa balistike. Ai tha se këtë herë në bisedime ishte përfshirë edhe një delegacion i plotë evropian, me përfaqësues nga Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Italia, Polonia, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja.
Ndërkohë, autoritetet ukrainase kanë bërë të ditur se numri i viktimave nga sulmi rus në fshatin Kamyshuvakha, në jug të Ukrainës, ka arritur në 72. Katër persona vazhdojnë të konsiderohen të zhdukur.
Sulmi, i ndodhur më 2 nëntor, konsiderohet një nga më vdekjeprurësit që nga fillimi i pushtimit rus në shkurt të vitit 2022. Mes viktimave kishte policë, punonjës të një gjimnazi, punëtorë komunalë dhe personel mjekësor.
Rreth një e pesta e territorit të Ukrainës vazhdon të jetë nën pushtimin rus, ndërsa Kievi ka refuzuar kërkesën e presidentit rus, Vladimir Putin, për të hequr dorë nga territoret e Donbasit lindor që ende i kontrollon.















