Tërshani: Dyshime për falsifikim dokumentesh dhe shkelje të rënda institucionale në rastin e Arlinda Zekajt
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Adelina Tërshani, ka deklaruar se Komisioni Hetimor Parlamentar për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt, gjatë intervistimit të akterëve institucionalë, ka evidentuar shkelje të ndryshme, përfshirë dyshime për falsifikim të dokumenteve dhe shmangie të pyetjeve në formularët e Qendrës për Punë Sociale (QPS).
Në një intervistë për Ekonomia Online, Tërshani, e cila është anëtare e këtij komisioni, ka thënë se intervistimet kanë nisur dhe se gjetjet e deritanishme nxjerrin në pah mangësi institucionale që mund të kenë ndikuar në përfundimin fatal të rastit.
Ajo ka theksuar se, për shkak të zotimit për ruajtjen e konfidencialitetit të dëshmive, nuk mund të japë shumë detaje para përfundimit të hetimit parlamentar, por ka paralajmëruar se gjetjet janë serioze.
“Këtë javë me Komisionin Hetimor për rastin e Alinda Zekajt kemi filluar tashmë me intervistat e akterëve që e kanë pasur rastin e Alinda Zekajt nëpër dorë. Alinda, e ndjera fatkeqësisht ka arritur me i qit në pah shumë lëshime, kisha me thënë institucionale që në fund kanë rezultuar që asaj me iu marrë jeta. Por ajo çka ne po tentojmë me bë përmes komisionit është me i evidentu këto shkelje. Çka po del fatkeqësisht, që ka shkelje edhe më të rënda, gjithmonë duke tentuar me e ruajtur edhe konfidencialitetin edhe besimin që e kam nënshkruar duke qenë anëtare e këtij komisioni hetues”, tha Tërshani.
Deputetja ka përmendur si një nga gjetjet më shqetësuese mundësinë e falsifikimit të dokumenteve dhe mosplotësimin e pyetjeve në formularët e QPS-së, të cilat lidhen me identifikimin e personave që kanë kryer vepra të mëparshme dhe vlerësimin e rrezikut.
Sipas saj, këto informacione mund të kenë qenë të rëndësishme në vlerësimin e rrezikshmërisë së personit ndaj të cilit ishte lëshuar urdhër mbrojtje.
“Po mundem me u lëshu më shumë në ato çka i kemi gjetur, për shkak se të gjitha intervistat me të gjithë dëshmitarët kanë qenë publike dhe kanë qenë të përcjella gjatë tërë kohës prej juve si media. Çka gjetjet janë edhe më skandaloze, deri tek nëse guxoj me i cilësu në pikën që jemi derisa ta nxjerrim raportin, ajo çka e keni pa e besoj edhe ju gjatë përcjelljes së rasteve, deri tek mundësia e falsifikimit të dokumenteve, shmangia e pyetjeve brenda formularëve të QPS-së, ku do të evidentohej se në fakt, personi i cili ka pasur urdhër mbrojtje, për të cilin ka pasur urdhër mbrojtje që t’i rrijë larg të ndjerës Alinda Zekaj, është evidentuar pyetja brenda formularit që me e identifiku atë si recidivist ose si person që ka kryer një vepër të caktuar më herët. Çka besoj më ka ndikuar te rasti, por për mua është pak e vështirë në pikën të cilën jam si anëtare e komisionit, me nënshkrimin që e kemi bërë për me e ruajt konfidencialitetin e shumë informacioneve që do t’i marrim e po i marrim prej dëshmitarëve, me u thellu ose me dhënë konstatime shumë konkrete. Kemi me dalë besoj me një raport i cili ka me i evidentuar shkeljet që janë bërë gjatë procedurave dhe secili e secila ka me dhënë përgjegjësi”, shtoi ajo.
E pyetur për përgjegjësitë e institucioneve lokale dhe qendrore, si dhe për mundësinë e bartjes së përgjegjësive nga një nivel në tjetrin, Tërshani ka thënë se komisioni është duke i shqyrtuar dëshmitë e të gjithë akterëve, ndërsa deri tani intervistimet janë përqendruar kryesisht në nivelin lokal.
Ajo ka bërë të ditur se komisioni po ndjek një renditje të intervistimeve, duke nisur nga institucionet lokale e deri tek ato qendrore, përfshirë Komunën e Pejës dhe ministritë përkatëse.
Tërshani ka sqaruar se komisioni nuk ka kompetenca për të vendosur masa penale ndaj personave që mund të kenë shkelur procedurat, por do të dokumentojë të gjitha shkeljet dhe do t'i paraqesë në raportin përfundimtar, i cili do të shqyrtohet dhe miratohet në Kuvend.
“Në fazën që jemi ne jemi duke intervistuar kryesisht përfaqësues të nivelit lokal. Kemi filluar prej poshtë tek lart edhe besoj e keni parë edhe listën e dëshmitarëve që secili ka me dalë para komisionit. E kam thënë edhe më herët, ne nuk jemi komision që siguron që të njëjtit kushdo që i ka shkelur procedurat edhe çkado që konstatohet në fund të hulumtimit tonë, do të shkojë në burg. Ky nuk është fatkeqësisht, si me thënë kompetenca jonë, po kemi me u siguru që me u zbardh secili detaj që ka me ndihmu edhe ka me u evidentu në raportin i cili po ashtu aprovuar dhe miratuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës për të gjitha shkeljet që janë bërë”, ka deklaruar deputetja.
Ndërkaq, lidhur me rolin e saj në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore dhe Peticione, Tërshani ka thënë se ky komision nuk po e trajton rastin e Zekajt në mënyrë specifike, por po shqyrton mangësitë ligjore dhe zbatimin e legjislacionit për mbrojtjen nga dhuna në familje, dhuna me bazë gjinore dhe dhuna ndaj grave.
Ajo ka bërë të ditur se në këtë proces janë angazhuar edhe ekspertë, me qëllim të identifikimit të mangësive në ligj dhe vlerësimit të zbatimit të tij në praktikë.
Vrasja e Arlinda Zekajt, 49-vjeçare nga Vitomirica e Pejës, ndodhi më 25 tetor, ndërsa ajo dyshohet se u vra nga kunati i saj. Rasti nxiti reagime të shumta publike dhe protesta, pasi vrasja ndodhi pavarësisht thirrjeve të saj për mbrojtje.
Kuvendi i Kosovës, pas rastit, miratoi me 90 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar me 11 anëtarë, me mandat për të hetuar lëshimet e dyshuara institucionale në trajtimin e rastit.
Komisioni ka afat gjashtë muaj nga themelimi për të përpiluar raportin përfundimtar me gjetjet e hetimit dhe për t’ia paraqitur Kuvendit.















