Presidenti Gotabaya Rajapaksa ka ikur në Maldives së bashku me gruan e tij dhe dy zyrtarë të sigurisë, kështu kanë bërë të ditur forcat ajrore të vendit.
Në mungesë të tij, ai ka emëruar kryeministrin Ranil Wickremesinghe si president në detyrë. Largimi i Rajapaksa i jep fund dinastisë familjare që ka dominuar politikën e Sri Lankës për dy dekadat e fundit.
Gjatë ditës së shtunë, kur protestuesit kishin hyrë në rezidencën e presidentit, ai thuhet që ka qenë i fshehur. Ndërsa, të mërkurën e 13 korrikut Rajapaksa është zotuar të japë dorëheqje.
Sipas një informacioni të marrë nga BBC, Rajapaksa nuk do të qëndrojë në Maldive, por synon që të udhëtojë në një vend të tretë.
Zëdhënësi i kryeministrit të Sri Lankës ka bërë të ditur se, Wickremesinghe ka shpallur një gjendje të jashtëzakonshme në të gjithë vendin, si dhe një shtetrrethim është vendosur në provincën perëndimore.
Protestuesit vazhdojnë të qëndrojnë pranë kryeministrisë dhe parlamentit, por policia e shtetit ka hedhur gaz lotsjellës që të shpërndajë ata.
E largimi i presidentit Rajapaksa po shihet si mungesë përgjegjësie nga protestuesit.
“Nuk na pëlqen. Ne duam ta mbajmë atë. Ne duam paratë tona mbrapa! Dhe ne duam t’i vendosim të gjithë Rajapaksasit në një burg të hapur, ku ata mund të bëjnë punë në fermë,” është shprehur protestuesi.
I gjithë faji për krizën ekonomike gjatë dy dekadave po hidhet tek administrata e presidentit Rajapaksa, ku për muaj të tërë banorët kanë pasur ndërprerje të përditshme të energjisë si dhe mungesa të gjërave bazë si karburanti, ushqimet dhe ilaçet.
Lideri i cili ka ikur jashtë vendit besohet që është larguar për të shmangur mundësinë e arrestimit nga administrata e re.