Stacionet e policisë në veri pritet të shndërrohen në zyra për KQZ-në

Zyrtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve pritet të punojnë brenda stacioneve të policisë në veri të vendit për të përgatitur zgjedhjet e 23 prillit, mëson RTV Dukagjini. Kjo pasi zyrat e KQZ-së ishin sulmuar me armë zjarri vitin e kaluar në tentim për të penguar organizimin e zgjedhjeve. KQZ-ja është deklaruar rreth objekteve që do të përdoren për këtë qëllim, siç ka bërë edhe Ministria e Punëve të Brendshme. Policia thotë se ka kapacitete për të ofruar siguri gjatë tërë procesit

Kjo ka qenë zyra e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Mitrovicë të Veriut deri më 6 dhjetor të vitit të kaluar, kur u sulmua me armë e u bë e papërdorshme.

KQZ-ja nuk i ka treguar Dukagjinit se cilat hapësira do të shfrytëzohet nga komisionet komunale për të përgatitur zgjedhjet e 23 prillit.

Mirëpo, televizioni ka mësuar nga burime të afërta me organizimin se pritet që zyrtarët e KQZ-së të vendosen në objektet e stacioneve të Policisë në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Disa ditë më parë, KQZ-ja ka kërkuar nga Ministria e Punëve të Brendshme që të identifikojë hapësira të sigurta në veri ku mund të përgatitet procesi zgjedhor.

Dukagjini ka pyetur edhe MPB-në rreth kësaj çështjeje, por nuk ka marrë përgjigje.

Televizioni mëson se fillimisht është shqyrtuar mundësia që KKZ-të të vendosen në objektet e Agjencisë për Regjistrimin Civil, por më pas është vendosur për stacionet policore.

Derisa ka mbetur më pak se një muaj deri në mbajtjen e zgjedhjeve, Policia e Kosovës thotë se ka kapacitete të plotë për të ofruar siguri në organizimin e këtij procesi.

“Po ashtu edhe në rastet kur organizohen zgjedhje lokale apo qendrore, përfshirë zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në komunat në veri të vendit, Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente me kohë planifikon dhe ndërmerr masat e nevojshme policore konform urdhrit operativ, i cili parasheh të gjitha masat e nevojshme të sigurisë, para, gjatë dhe pas procesit zgjedhor”, thuhet nga Policia e Kosovës.

Gjatë së martës për zgjedhjet në veri dhe mundësinë që Lista Serbe të pengojë pjesëmarrjen e qytetarëve është pyetur kryeministri Albin Kurti.

Por, ai nuk ka qenë konkret.

“Për të gjitha të tjerat janë organet e shtetit, janë afatet ligjore ato që përcaktojnë se si do të zhvillohen proceset demokratike në vendin tonë, përfshirë edhe mbajtjen e zgjedhjeve në katër komunat në veri ku kryetarët atje për shkak se u dha urdhër Beogradi zyrtar patën dhënë dorëheqje”, ka thënë Kurti.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit në komunat veriore ishte planifikuar të mbaheshin më 18 dhjetor të 2022-s.

Por ato u shtynë nga presidentja Vjosa Osmani pas shqetësimeve të ndërkombëtarëve për shkak të situatës së tensionuar të sigurisë gjatë fund vitit të kaluar.

Shija e redaktorit

Hysni Gucati, kryetar i ri i OVL-UÇK-së

Delegatët Kuvendi i pestë zgjedhor i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ia kanë besuar një mandat 4 vjeçar Hysni...

Walker: Ajo çka ndodhi në Reçak, ndryshoi Ballkanin

Ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William G. Walker, ka rikujtuar masakrën së Reçakut, duke e cilësuar atë si një moment...

“Reçak: Historia e një krimi lufte”, nga William G. Walker...

Edhe pak ditë na ndajnë nga dita kur libri “Reçak: Historia e një krimi lufte” nga William Walker-i do të shohë dritën e botimit,...

Të fundit nga rubrika