Policia e qytetit që ka mbi 130 mijë banorë ka kohë që e shfrytëzon një objekt të vjetër në qendër të qytetit. Mungesa e hapësirës, pozicioni jo i duhur e shumë pengesa të tjera ishin arsyet që Policia e Gjilanit kishte në plan të zhvendoset në një objekt tjetër. Nëse mund të quhet i tillë, objekti ndodhet përballë Gjykatës, në hyrje të rrugës magjistrale Kamenicë-Gjilan dhe në afërsi të rrugës qarkore.
Por objekti që synohej të bëhej qendër e Policisë është shndërruar në rrënoja dhe strehë për mbeturina. Objekti që ka nisur të ndërtohet thuajse dy dekada më parë sipas nënkryetares së Gjilanit, Leonora Morina – Bunjaku nuk po përfundon për shkak të problemeve me ligjin.
“Njërën prej çështjeve të cilën e kemi shtjelluar bashkë me kryetarin dhe me Policinë ka qenë sistemi i tyre. Jemi në dijeni që objekti nuk është i mjaftueshëm dhe kushtet nuk janë në nivelin e duhur. Është e vërtetë po ashtu se ekziston një objekt i cili ka shpronësimi ka probleme të trashëguara”, deklaron ajo.
Deri sa ky problem të zgjidhet, Bunjaku thotë se kanë menduar një lokacion tjetër për Policinë.
“Ne jemi duke kërkuar një hapësirë të mundshme. Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare është në përgatitje finale për të kalu në objektin e ri. Jemi duke e bërë studimin që nëse është i përshtatshëm i njëjti objekt për një periudhë kohore të caktuar derisa të bëhet një zgjidhje e përhershme për Policinë”, shprehet Nënkryetarja e Gjilanit.
Edhe nga Policia e Gjilanit e kanë konfirmuar se për këtë objekt ka një proces gjyqësor. Ndërkohë Ministria e Brendshme na kanë këshilluar që t’i drejtohemi Policisë së Kosovës. E këta të fundit përmes telefonit kanë konfirmuar kërkesën për informacionet e kërkuara lidhur me këtë objekt, por gjatë javës nuk kanë kthyer përgjigje.
RTV Dukagjini ka kërkuar përgjigje edhe nga Gjykata Themelore në Gjilan, mirëpo ky institucion ka kërkuar të dhëna shtesë pasi që vetëm me informacionet e përgjithshme thonë se nuk kanë mundë të gjejnë të dhëna lidhur me rastin. Përgjigje të njëjtë ka kthyer edhe Gjykata Themelore në Prishtinë.