Në orët e para të mëngjesit të së premtes, stacioni kryesor i policisë në kryeqytet, i njohur si Qendra ka qenë në terr.
Burime brenda Policisë i thanë televizionit se stacioni nuk ka pasur energji elektrike për më shumë se një orë.
Arsye për këtë ka, por KEDS po thotë se kjo nuk ka ndodhur me fajin e tyre.
“Transformatori që furnizon Stacionin e Policisë është pronë private e tyre. Ky transformator dyshohet se është djegur, por ai është aset i tyre dhe nuk i përket KEDS-it, për çka ju lus që t’u drejtoheni atyre”, kanë thënë nga KEDS.
Por gjatë ditës, zyra për media e Policisë së Kosovës nuk u përgjigjën në interesimin e televizionit për të kuptuar se çka kishte ndodhur saktësisht.
Ish-zv.Ministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha po thotë se ajo çfarë ka ndodhur është shqetësuese.
“Nderprerja e energjise elektrike ne stacione policore eshte nje sfide e madhe dhe ndikon ne uljen efikasitetin dhe efektivitetit, shkakton nderprerjen e veprimtarise normale te punes qe eshte kruciale per ofrimin e sherbimeve ne mbrojtje te jetes dhe prones se qytetareve”, ka thwnw Hoxha.
Stacioni “Qendra” është një prej 8 stacioneve policore të Drejtorisë Rajonale të Policisë së Kosovës në Prishtinë.