Stafit mbështetës të infermierëve dhe profesionistëve shëndetësorë, të cilët ishin rekrutuar nga Ministria e Shëndetësisë(MSh) në fillim të pandemisë Covid-19, kontratat iu kanë përfunduar më 15 qershor të këtij viti. Meqenëse numrat e të infektuarve me virusin Covid-19 kishin rënë dhe gjendja ishte stabile, kësaj kategorie nuk iu vazhduan kontratat, edhe pse Oda e Infermierëve të Kosovës ka theksuar vazhdimisht mungesën e infermierëve në të gjitha komunat e Kosovës.
Tash, kur numrat e infektimeve me koronavirus po rriten, institucionet përsëri janë duke planifikuar që të rekrutojnë staf mbështetës, madje Qeveria e Kosovës të mërkurën ka ndarë 5.5 milionë euro për vazhdimin e “mbështetjes” së stafit shëndetësor.
Kjo mënyrë e trajtimit të infermierëve po konsiderohet ofenduese për këtë kategori. Infermierët po shfrytëzohen kur po rriten numrat e të infektuarve me Covid-19, dhe nuk po iu vazhdohen kontratat kur këta numra po bien.
Njohësi dhe profesionisti i sistemit shëndetësor, Fitim Havolli, ka thënë për Portalin Dukagjini se kjo çasje e institucioneve është trajtim jo i duhur, jo vetëm për stafin shëndetësor, por edhe për pacientët. Largimin nga puna të infermierëve kur edhe po qetësohet situata me Covid-19, Havolli e ka quajtur trajtim “johuman dhe aspak serioz”.
“Përderisa institucionet kanë mungesë të jashtëzakonshme të këtij stafi, merreni me mend një infermierit i është shkëputur kontrata në një repart ku janë 22 shtretër, tash aty kujdeset vetëm një infermier për ta. Krejt sistemi shëndetësor duhet ta bëjë atë që qytetarët të marrin shërbime të dinjitetshme në institucionet publike dhe jo të bëhet neglizhim i jashtëzakonshëm”, ka deklaruar Havolli.
Mosvazhdimi i kontratave për infermierët, sipas Havollit krijon pasiguri dhe po ashtu ndikon në largimin e tyre nga vendi, e që është shndërruar në fenomen.
“Kjo është lojë ping-pongu, duke i larguar sigurisht që i krijon pasiguri, dhe ata mund të mos e pranojnë një kontratë afatshkurtër, është normale”, ka deklaruar Havolli.
Ministria e Shëndetësisë e “largon” një pjesë të fajit nga vetja
Nevojën e stafit të infermierëve e ka theksuar edhe zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti. Ai në një prononcim për Portalin Dukagjini, ka thënë se tashmë iu janë drejtuar institucioneve të tjera të cilat sipas tij kanë mandat që ta përkrahin MSh-në në aspektin financiar, në mënyrë që të krijohen kushtet që stafi mbështetës i infermierëve të cilëve u ka skaduar kontrata më 15 qershor të këtij viti, të kthehen prapë në ambientet e punës.
Sipas Hotit, MSh-ja ka vullnet që kjo kategori e punëtorëve shëndetësorë të punësohet, por kjo nuk varet ekskluzivisht nga kjo ministri. Ai bëri të ditur se disa institucione mjekësore veçse kanë filluar ta bëjnë rekrutimin e stafit mbështetës, për shkak se numrat e të infektuarve me Covid-19 janë rritur.
“Këtyre ditëve disa institucione vetëm se kanë filluar të bëjnë rekrutime të stafit, e kemi QKUK-në, por edhe disa komuna. Ne shpresojmë që shpejt edhe MSh-ja do të mund të ketë mundësinë t’i ofrojë mbështetjen stafit të infermierëve që të kthehen dhe të kontribuojnë prapë. Por kjo nuk është ekskluzivisht në dorën e MSh-së, sepse ekzsiton vullneti për këtë, por varet edhe nga faktorë të tjerë”, ka deklaruar zëdhënësi i MSh-së.
Mënyra e punësimit
I pyetur se si do të bëhet rekrutimi i stafit mbështetës të infermierëve, a do të hapet konkurs i ri apo do të ftohen ata që iu kishin skaduar kontratat, zëdhënësi i MSh-së tha se kjo varet nga institucioni i cili e bën punësimin.
Sipas tij, Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), rekrutimin e bën me ligje të tjera në krahasim me MSh-në, e cila e aplikon ligjin për shërbyesit civilë. Por, megjithatë, sipas Hotit, ata që kanë qenë pjesë e sistemit shëndetësor në kohën e pandemisë, do të kenë përparësi në këto konkurse.
“Disa kanë filluar të bëjnë rekrutime, ndërkaq MSh-ja në momentin që merr sinjale pozitive që ta bëjë këtë do t’i informojë të gjithë ata që janë të interesuar për të kontribuuar dhe natyrisht njerëzit që kanë dhënë gjatë pandemisë kontribut, që kanë qenë të kyçur në sistemin shëndetësor, do të kenë si referenca pozitive punën që kanë bërë për të pasur përparësi në këto konkurse”, ka deklaruar Hoti.
Opozita e kritikon Qeverinë për joseriozitet
“Kjo sjellje ndaj infermierëve dhe stafit teknik është turp. Nuk ka emër tjetër, pos turp”.
Kështu ka thënë ish-ministri i Shëndetësisë njëherësh edhe deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj. Vendimin e Qeverisë së Kosovës për mosvazhdimin e kontratave në kohën kur numrat e infektimeve me virusin Covid-19 kishin rënë, Zemaj e ka quajtur si sjellje “johumane dhe joprofesionale”.
“Kjo lojë e Qeverisë dhe MSh-së me infermierët dhe stafin teknik është për të qarë me lot. Kjo është e tmerrshme, kjo sjellje e institucioneve ndaj tyre është johumane e joprofesionale. Ata janë vëllezërit e motrat tona, janë familjarë tanë, çdo sjellje jodinjitoze ndaj tyre tregon qasjen e paparë të politikës aktuale ndaj tyre. Lëre që pagat nuk janë në nivel, por as kontratat nuk janë afatgjata, edhe ato kontrata nuk respektohen, turp”, ka deklaruar Zemaj për Portalin Dukagjini.
Tutje, Zemaj ka deklaruar se sjellja e institucioneve të Kosovës karshi profesionistëve shëndetësorë, ndikon që shpresa e tyre për ta gjetur një vend pune të jetë minimale. Sipas tij, kjo është shtysë që kjo kategori të tentojë të largohet nga vendi për shkak të “trajtimit jo të mirë nga ana e institucioneve të vendit”.
“Kjo sjellje e këtij pushteti të paaftë tregon edhe largimin masiv që është i paparë në historinë e Kosovës, kjo është dëshmi se çfarë mendojnë profesionistët shëndetësorë për këtë qeverisje. Kjo sjellje dhe qasje ndaj tyre është e papranueshme”, ka thënë ai.
Të njëjtin mendim sikurse deputeti Zemaj, e ka edhe kolegu i tij nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Shemsedin Dreshaj. Në një prononcim për Portalin Dukagjini, deputeti i AAK-së, e ka quajtur Qeverinë e Kosovës “qeverisje Ad-Hoc, që reagon vetëm në momentin e paraqitjes së problemit” dhe “nuk ka koncept të menaxhimit të mirëfilltë, qoftë të pandemisë apo situatës aktuale në shëndetësi”.
Dreshaj, po ashtu, ka thënë se ikja se stafit shëndetësor në vendet evropiane nuk mund të ndalet me veprime Ad-Hoc, por me strategji afatgjata për shëndetësinë.
“Intenca prej pasluftës ka qenë që gjendja në shëndetësi të konsiderohet prioritet, pra shëndetësia të jetë prioritet, kjo gjë nuk ka ndodhur deri më sot dhe nuk po ndodh as me këtë qeverisje”, ka deklaruar Dreshaj.
“Prandaj, ikja e stafit profesionist të trajnuar dhe të përgatitur me shumë mund nuk mund të ndalet vetëm me veprime Ad-Hoc. Qeveria duhet të merret seriozisht me krijimin e kushteve që ata të qëndrojnë sot në vend”, ka vijuar ai.
Në fund, Dreshaj është shprehur se infermierët e rekrutuar si staf mbështetës kundër pandemisë Covid-19 duhet të pajisen me kontrata afatgjata, sepse sipas tij pandemia mund të vazhdojë edhe shumë vjet bashkë me variantet dhe nënvariantet e saja.
Ndryshe, me 20 qershor të këtij viti, infermierët dhe stafi mbështetës që ishin të angazhuar në menaxhim të pandemisë Covid-19, kishin protestuar para Qeverisë së Kosovës, ku një nga kërkesat kryesore të tyre ishte vazhdimi i kontratave të tyre. Por, ajo protestë nuk e pati rezultatin që ata e dëshironin, Qeveria nuk i dëgjoi kërkesat e tyre, dhe si pasojë ata u detyruan t’i lënë vendet e tyre të punës.