Stano: BE-ja është në dijeni për votën e Serbisë kundër Kosovës

Institucionet e Brukselit “janë në dijeni” se Serbia votoi kundër aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha se institucionet e Brukselit “janë në dijeni” se Serbia votoi kundër aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Megjithatë, Stano nuk deshi t’i përgjigjet pyetjes nëse BE-ja e konsideron këtë veprim shkelje të Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve, që Kosova dhe Serbia arritën më herët gjatë këtij viti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 27 shkurt në Bruksel u pajtuan për Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve. Ndërkaq, më 18 mars në Ohër ata u pajtuan për Aneksin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje.

Neni 4 i kësaj marrëveshjeje thotë se Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare.

Pavarësisht se Kurti dhe Vuçiq nuk e nënshkruan marrëveshjen, BE-ja e konsideron atë marrëveshje dhe ka deklaruar se dokumenti është ligjërisht i detyrueshëm për të dyja palët.

“Diskutimet për nënshkrimin [e marrëveshjeve] janë krejtësisht të kota dhe të parëndësishme. Ekziston një angazhim në nivelin më të lartë politik dhe ai angazhim tani është bërë i detyrueshëm në procesin e anëtarësimit për të dyja palët. Përparimi në dialog dhe zbatimi [i marrëveshjeve] do të reflektohet në rrugëtimin e tyre [të Kosovës dhe Serbisë] evropian”, tha Stano.

Zëdhënësi i BE-së konfirmoi se marrëveshja e arritur në Ohër është ende e vlefshme dhe se fokusi i të gjithëve duhet të jetë në zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tani në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga blloku evropian.

Më 24 prill, Komiteti Ministror i Këshillit të Evropës votoi që t’i përcjellë Asamblesë Parlamentare të këtij institucioni kërkesën për anëtarësimin e Kosovës.

Për këtë vendim, 33 vota ishin për, shtatë kundër dhe pesë abstenime.

Para se të mbahej votimi në Këshillin e Evropës, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tregoi se shteti i tij do të votojë kundër anëtarësimit të Kosovës në këtë institucion.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 12 maj 2022.

Këshilli i Evropës është organizata më e vjetër evropiane që merret me zhvillimin e demokracisë dhe të drejtat e njeriut. Kjo organizatë ka procedura të caktuara për pranimin e anëtarëve të rinj. Këto procedura kalojnë përmes Këshillit të Ministrave dhe Asamblesë Parlamentare, ku marrin pjesë deputetët nga parlamentet e shteteve anëtare./REL

Shija e redaktorit

Hysni Gucati, kryetar i ri i OVL-UÇK-së

Delegatët Kuvendi i pestë zgjedhor i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ia kanë besuar një mandat 4 vjeçar Hysni...

Walker: Ajo çka ndodhi në Reçak, ndryshoi Ballkanin

Ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William G. Walker, ka rikujtuar masakrën së Reçakut, duke e cilësuar atë si një moment...

“Reçak: Historia e një krimi lufte”, nga William G. Walker...

Edhe pak ditë na ndajnë nga dita kur libri “Reçak: Historia e një krimi lufte” nga William Walker-i do të shohë dritën e botimit,...

Të fundit nga rubrika