“Qëllimi i dialogut nuk është njohja, objektivi i dialogut është normalizimi i raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe sa i takon situatës së normalizimit të raporteve është e vendosur nga të dyja palët”.
Kështu ka deklaruar zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano në një konferencë për media, i pyetur nga një gazetar se a përmban njohje marrëveshja në mes të Kosovës dhe Serbisë për normalizim të raporteve.
Stano ka thënë se u takon të dyja palëve të vendosin, gjersa BE-ja është ndërmjetësuese e këtij dialogu.
“Ne nuk e diktojmë çfarë do të bëjnë dhe si, por po i ndihmojmë me perspektivën, maturinë evropiane dhe kompromisin evropian, por objektivi dhe mandati ynë është që të arrijnë marrëveshjen finale gjithëpërfshirëse ligjërisht të obligueshme për normalizim të raporteve”, ka vijuar ai.
Ndërsa, në lidhje me takimin e 27 shkurtit që u mbajt në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq e zyrtarëve evropianë në Bruksel, ai ka thënë se është e qartë se është rënë dakord që palët të nisin bisedimet për planin e zbatimit të propozimit evropian.
Ai ka theksuar se është shumë me rëndësi për BE-në gatishmëria e palëve që të procedojnë tutje me zbatimin e këtij plani.
Ndërsa, i pyetur nga gazetarët se pse nuk ka pasur në këtë takim ndonjë nënshkrim, ai ka thënë se arritja më e madhe në këtë takim ka qenë progresi që është arritur në procesin e bisedimeve.
“Ne asnjëherë nuk kemi thënë që do të ketë nënshkrim, do të vazhdojmë me takime të nivelit të lartë, arritja më e madhe dje ishte progresi në dialog”.
Ndryshe, Zyra e Kryeministrit në një komunikatë për media ka dhënë detaje për takimin e 27 shkurtit në Bruksel, ku theksohet se Kosova është treguar e gatshme të nënshkruajë “Marrëveshjen Bazë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, por që nënshkrimi është refuzuar nga Serbia.
Tutje thuhet se, edhe pse Serbia nuk është treguar e gatshme ta nënshkruajë propozimin, palët do të nisin bisedimet për planin e zbatimit.
“Palët do të fillojnë bisedimet për planin e zbatimit. Ky plan duhet të përmbajë detaje konkrete dhe të jetë gjithëpërfshirës, të ofrojë efektivitet në zbatim dhe të jetë i sekuencuar në mënyrë të balancuar”, thuhet tutje.
Po ashtu, thuhet se marrëveshja e arritur në këtë takim është mes palëve që e njohin njëra-tjetrën si të barabarta, dhe është arritur mbi bazën e respektimit të barazisë sovrane të shteteve, respektimit të pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial të tyre.
Takimi i radhës i nivelit të lartë politik pritet të mbahet gjatë muajit mars.