Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, në një konferencë për media ka thënë se për Kosovën dhe Serbinë, shprehitë evropiane janë kruciale në rrugën drejt BE-së.
Por, sipas Stanos, eskalimi i situatës në terren dhe krizat e njëpasnjëshme nuk janë shprehi evropiane.
“Ne po e bëjmë rolin si ndërmjetësues. Qëllimi është për të arritur normalizimin e marrëdhënieve. Kjo është kruciale në rrugën evropiane e të dyjave, palës kosovare dhe serbe, për të arritur aty duhet shprehi evropiane. Shprehi evropiane kupton, jo eskalimi i tensioneve, por gjetja e zgjidhjeve, shprehi evropiane kupton konsensus dhe gjetja e kompromiseve dhe jo një gjendje konstante ku kemi vetëm kriza të cilat BE- tenton t’i zgjidhë”, ka thënë Stano.
Stano ka thënë se janë duke e përcjell situatën në veri të vendit, duke u bërë thirrje palëve që të përmabhen nga veprimet që mund të përshkallëzojnë situatën në terren.
“Jemi duke e përcjellë për së afërmi dhe është një çështje urgjente. Ne jemi në kontakt me të dyja palët dhe KFOR-in për të kuptuar saktësisht se çfarë ndodhi dhe si ndodhi… Ne u bëjmë thirrje të dyja palëve Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga ndonjë veprim apo reagim që do të kontribuonte në rritje të tensioneve, të cilat aktualisht janë të larta dhe kërkojmë që urgjentisht të dyja palët të angazhohen për de-eskalim të situatës”, ka shtuar Stano.