Kryeministri britanik, Keir Starmer, ka thënë të dielën se Ukraina duhet të ketë një “të ardhme të sigurt afatgjatë” dhe se Britania e Madhe “do të thellojë solidaritetin e saj me vendin”.
“Pasiguria ekonomike që ka shkaktuar konflikti, rritja e faturave, kriza e kostos së jetesës, do të vazhdojë vetëm nëse nuk kemi një zgjidhje që është e drejtë dhe e qëndrueshme për Ukrainën”, ka thënë Starmer gjatë një fjalimi në Glasgoë, Skoci, raporton AP.
“Ky është një nga mësimet më të mëdha të historisë sonë. Paqëndrueshmëria në Evropë rrjedh gjithmonë në brigjet tona dhe ky është një moment brezash”, ka shtuar ai.
Starmer po fliste ndërsa po përgatitet të vizitojë Uashingtonin këtë javë së bashku me presidentin francez, Emmanuel Macron në një përpjekje për të bindur presidentin e SHBA-së, Donald Trump që të mos e braktiste Ukrainën.
Starmer, ka folur hapur për të qenë një urë lidhëse midis Evropës dhe administratës së SHBA-së, teksa ka deklaruar se s’mund të ketë bisedime për Ukrainën pa Ukrainën.
Macroni ndërkaq ka kritikuar më ashpër deklaratat e fundit të Trumpit që i bëjnë jehonë narrativës së Rusisë dhe lëvizjeve amerikane për të negociuar me Moskën, ndërsa mënjanojnë Ukrainën.
Starmer ka theksuar gjithashtu nevojën që vendet në Evropë të investojnë më shumë në mbrojtjen dhe sigurinë e kontinentit.
“Unë kam thënë për disa kohë se ne evropianët, duke përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, duhet të bëjmë më shumë për mbrojtjen dhe sigurinë tonë. SHBA-ja ka të drejtë për këtë. Në këtë epokë të re, ne nuk mund të kapemi pas komoditeteve të së kaluarës. Është koha për të marrë përgjegjësinë për sigurinë tonë, kontinentin tonë. Dhe unë jam i qartë se Britania do të marrë një përgjegjësi udhëheqëse”, ka deklaruar ai.