Deputetja e Partisë Guxo, Jeta Statovci, është deklaruar kundër vendimit të Qeverisë së Kosovës, e cila nuk do t’i procesojë pagat për punëtorët e sektorit publik të cilët kanë qenë pjesë e grevës.
Ajo përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook, ka thënë se nuk mund të pajtohet me mosekzekutimin e pagave për mësimdhënësit.
“Sa i përket grevës së sindikalistëve, më vjen mirë që më në fund nxënësit i janë kthyer bankave shkollore. Por, nuk mund të pajtohem me mos ekzekutimin e pagave për mësimdhënësit për muajin shtator”, ka shkruar ajo.
Statovci ka shkruar se pavarësisht se a ishin të drejta kërkesat e tyre dhe bllokada që ata krijuan, atyre duhet t’u ekzekutohet paga.
“Sidomos kur jemi në një situatë ku shumë familje përballen me rritje të çmimeve dhe po i afrohemi dimrit të ashpër. Si partnerë në qeverisje me VV-në na bashkon vizioni i njëjtë që kemi, që shtetit tonë të mbarën ndërsa shpresën për një të ardhme dhe jetë më të mirë”.
“Sigurisht se deri më tani bashkërisht kemi arritur shumë suksese me të cilat pajtohet lehtësisht cilido individ e madje edhe partnerët tanë ndërkombëtarë, e shumë punë na presin së bashku deri në realizimin e plotë të synimeve tona”, shkroi ajo.
Ndërkaq, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, kishte bërë të ditur për Rtv Dukagjinin se, pagat për punëtorët e sektorit publik për muajin shtator, janë ekzekutuar vetëm për ata që nuk kanë qenë pjesë e grevës.
Kryeziu ka thënë se çështja e pagave të grevistëve përcaktohet me ligjin për greva.
“Për muajin shtator, pagesat në sektorin publik janë ekzekutuar për zyrtarët të cilët kanë dalë në punë dhe kanë kryer detyrat dhe përgjegjësitë e tyre. Paga mujore është kompensim për punë. Në raste të grevave, kjo çështje përcaktohet në ligjin për Greva”, ka thënë ai.
Diferencime sa i përket procesimit të pagave, ka pasur edhe në sektorët të tjerë. Shërbyesve civilë u ka dalë paga edhe pse ishin pjesë e grevës, kurse mësimdhënësve jo.
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, është shprehur i indinjuar me këtë vendim të qeverisë, të cilin e ka quajtur diskriminues e hakmarrës.
“Fatkeqësisht ende nuk janë procesuar në sistemin arsimor, teksa e keqja shtohet se janë procesuar për shërbyesit civilë që ishin në grevë dhe kjo është një segregacion, nuk ka çfarë të dyshohet për tjetër, përveç ndonjë qëllim që vetëm qeveria e di”, ka thënë ai.
Tutje, Jasharaj ka paralajmëruar “situatë të acaruar”, nëse nuk procesohen pagat deri më 5 tetor të këtij viti.
“Uroj që deri në kufirin ligjor më 5 tetor, Qeveria të mos e bëjë edhe këtë goditje, por t’i procesojë pagat, përndryshe do të kemi situatë të acaruar. Edhe mediat e kanë parë se edhe kur u bë pezullimi i grevës, votat pro dhe kundër ishin kogja të përafërta. Nuk është e drejtë të shkelen ligjet dhe të shkelet humaniteti. Nëse bëhet kjo goditje atëherë s’kemi si të mos besojmë se Qeveria i do grevat dhe përplasjet”, ka thënë ai.
Afati ligjor për ekzekutimin e pagave për punëtorët e sektorit publik është më së largu data e pesë tetorit e këtij viti.