Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje(VV), nga Lista Guxo, Jeta Statovci, ka bërë të ditur se Komisioni për Ekonomi, e ka mbështetur unanimisht marrëveshjen me Sfidat e Mijëvjeçarit.
Statovci përmes një postimi në Facebook, ka thënë se kjo marrëveshje mes Kosovës dhe ShBA-së është investimi më i madh në historinë e vendit në fushën e energjetikës që kontribuon në stabilitetin energjetik.
“Por nga ky projekt, jam e lumtur që do të përfitojnë edhe gratë në sektor. Nga 9% e tyre sa janë të punësuara aktualisht në sektorin e energjisë në Kosovë, që i bie as sa gjysma e mesatares globale; synim dhe qëllim i këtij projekti do të jetë arritja e mesatares globale të përfshirjes së grave në fushën e energjisë sikur në shtetet e tjera”, ka shkruar Statovci.
Sipas saj, investimi 237 milionësh i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, determinon aleancën e përhershme dhe miqësinë e përjetshme mes të dyja vendeve.
Ndryshe, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri Albin Kurti, të martën e 26 korrikut janë pritur në Departamentin amerikan të Shtetit nga Sekretari, Antony Blinken.
Gjatë këtij takimi është theksuar partneriteti midis ShBA-së dhe Kosovës, me ç’rast Blinken edhe ka njoftuar se të mërkurën e 27 korrikut do të nënshkruhet kontrata me korporatën për energji.
Liderët e vendit do të marrin pjesë në ceremoninë e organizuar në Kongresin amerikan për nënshkrimin e marrëveshjes me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit, për Programin Kompakt të Kosovës.