Komandanti Legjendar Adem Jashari, Hamëz Jashari, Sami Lushtaku, Ilaz Kodra, Sahit Jashari, Musa Jashari dhe Jakup Nura. Këta janë protagonistët e fotografisë ndër më ikonike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Fotografia e shkrepur më 1991, me iniciativë të komunës së Skenderajt do të jetësohet në bronz.
“Kjo ide ka ardhur në Kuvendin komunal dhe asamblistët e kanë votuar këtë propozim që përfshin një projekt të kësaj fotografisë legjendare. Aty në të njëjtin vend në fshatin Prellovc aty në të njëjtin pozicion siç është bërë fotografia pra plani është që të bëhet në të njëjtin vend qysh është fotografia. Do të thotë në buxhetin e vitit të ardhshëm 50 mijë euro që këtë fotografi që është një prej fotografive më legjendare të kthehet ne bronz”, ka thënë Amir Lushtaku, Zëdhënës i Komunës së Skenderajt.
Lëvizja Vetëvendosje e kundërshton këtë projekt, ndër ta kryetari i Degës në Skenderaj.
“Ideja e përmendores së tyre është që të barazohet, apo të tentohet të barazohet dëshmorët. Të ketë njëfarë barazie në mes Komandantit Legjendar (Adem Jasharit) e Sami Lushtaku. Kjo mendoj që e padrejtë sepse në kontekstin kohorë kontributi në luftë nuk mund të barazohet të bërat e Sami Lushtakut pas luftës”, ka theksuar Hysni Mehani, Kryetar i VV-së Skenderaj.
Mehani thotë se iniciativa për këtë projekt ka qenë njëra ndër arsye që kanë votuar kundër buxhetit për vitin e ardhshëm, duke shtuar se Lushtaku nuk mund të ketë shtatore bashkë me Adem Jasharin.
Pikërisht Sami Lushtaku për RTV Dukagjini ka deklaruar se nuk ka lidhje me këtë projekt, i cili sipas tij është nismë e të tjerëve.
“Të jem i sinqert është iniciativë e kryetarit të Komunës besom që as lidhje nuk kam pasur as nuk e kam ditur. Edhe unë edhe secili prej atyre që jemi në atë foto e kemi një pjesë të historisë tonë aty. Edhe të rinisë edhe të luftës të këtij vendi. Unë as projektin edhe nuk e kam parë me ju tregu drejt edhe pse kryetari i Komunës ka tentu me ma tregu. Por unë nuk kam deshtë as me e pa projektin”, ka potencuar Lushtaku.
Ky projekt në buxhetin e vitit 2023 është në kudër të investimeve kapitale, i emërtuar “Shtatoret e Themeluesve të UÇK-së”.