Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës(PDK) Blerand Stavileci, në një konferencë të përbashkët me koordinatorin e Departamentit për Financa në kuadër të Kabinetit për Qeverisje të Mirë, Arben Mustafa, i kanë bërë thirrje Qeverisë që të reagojë në lidhje me krizën ekonomike në vend.
Stavileci ka thënë se rritja e çmimeve të të gjitha produkteve esenciale, e inflacionit dhe mosveprimi i Qeverisë me pako konkrete, po bën që familjet të shkojnë drejt varfërimit, punëtorët drejt perëndimit e firmat drejt falimentimit.
Stavileci ka thënë se Qeveria Kurti po i lë qytetarët nën mëshirën e fatit.
“Papunësia dhe pasiguria prodhojnë kriza familjare, sociale dhe psikologjike, e krizat familjare, sociale dhe psikologjike, po prodhojnë ikjen dhe po shtojnë radhët rekorde të ikjeve para ambasadave të huaja. Familjet po shkojnë drejt varfërimit, punëtorët drejt perëndimit e firmat drejt falimentimit”, ka thënë Stavileci.
Më tutje, Stavileci ka thënë se krahas pandemisë dhe krizës energjetike, armiku numër një për të gjitha familjet, punëtorët dhe firmat është bërë inflacioni.
“Si asnjëherë pas luftës në Kosovë, inflacioni është ngritur në 14.1 për qind. Me këtë përqindje, Kosova është në mesin e shteteve që i prijnë listës në nivelin global. Nga janari e deri në qershor ngritja e inflacionit është shqetësuese. Është e dyfishtë. Nga 7.1 për qind ka arritur në 14.1 për qind. Mesatarja e inflacionit në 6 muajt e fundit është alarmante. Është dyshifrore. Është 10.4 për qind”, ka theksuar Stavileci.
Në tërë këtë situatë, Stavileci tha se familjet nuk po kanë asnjë pako lehtësuese për përballim të krizës, punëtorët nuk po kanë asnjë ngritje të pagës, si dhe firmat kosovare nuk gëzojnë asnjë lloj skeme mbështetëse.
Ndërsa, Koordinatori i Departamentit për Financa në Kabinetin për Qeverisje të Mirë, Arben Mustafa, ka thënë se ritmi me të cilin po zhvillohet inflacioni në Kosovë paraqet një shqetësim shumë serioz për ekonominë e vendit, përderisa sjellja e deritanishme e Qeverisë kundrejt këtyre zhvillimeve ka qenë neglizhente dhe e papërgjegjshme.
Sipas Mustafës, Qeveria nuk duhet të humbë kohë edhe më tutje duke improvizuar me masa, por kërkohet që urgjentisht ta ushtrojë rolin që i takon, duke shfrytëzuar politikën fiskale për të ndikuar në frenimin e rritjes së çmimeve.
“Është nevojë urgjente dhe e domosdoshme që të bëhet lirimi nga TVSH-ja e mallrave esenciale të konsumit për një periudhë të caktuar dhe të largohet akciza dhe të zbritet TVSH-ja në produktet e naftës, po ashtu për një periudhë të caktuar kohore”, ka thënë ai.
Mustafa ka thënë se Qeveria duhet të rris shumën e transfereve për përfituesit nga skemat sociale dhe pensionale për aq sa janë rritur çmimet, po ashtu të rrisë pagat e punonjësve të sektorit publik për aq sa janë rritur çmimet, dhe të rrisë shkallën e zbatimit të projekteve kapitale.