Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës,(PDK), Blerand Stavileci, të dielën përmes një konference për media, ka thënë se si pasojë e keqqeverisjes, Kosova ka shënuar deficitin më të lartë tregtar, rreth 4.6 miliardë euro.
Stavileci ka thënë se Qeveria po kontribuon aktivisht në thellimin e krizës ekonomike te qytetarët e Kosovës.
“Ditët po ecin e javët po shkojnë. Kriza ekonomike po thellohet. Qytetari e familja po varfërohet. Shporta e prodhimeve të konsumit po pakohet. Qeveria dhe Pushteti po vazhdojnë të struken dhe ta vështrojnë krizën nga jashtë, pa ndërmarrë masa konkrete ekonomike dhe fiskale që ta zbusin këtë rëndim të jetesës së qytetarëve dhe familjeve kosovare.”, ka thënë Stavileci.
Më tutje, ai ka theksuar se përtej rritjes së madhe të kostos së jetesës, me numra alarmantë dyshifrorë të inflacionit, e në mungesë të veprimeve e vendimeve konkrete të Qeverisë që do ta zbusnin këtë papërballueshmëri, kjo qeveri, ky pushtet, siç thotë ai, ka humbur sensin me realitetin ekonomik duke zgjedhur heshtjen e mosveprimin karshi pakënaqësisë së madhe qytetare.
“Të gjitha çmimet po vazhdojnë të rriten, e pagat nuk kanë lëvizur. Jeta çdo ditë e më shumë po shtrenjtohet. Në vend të dialogut social Qeveria ka imponuar injorimin institucional dhe kjo ka sjellë sot më shumë se kurrë pakënaqësinë më të madhe të qytetarëve dhe sindikatave, të cilat po protestojnë vazhdimisht në kërkim të të drejtave elementare dhe të zgjidhjeve për t’i tejkaluar gjithë këto kriza”, ka thënë anëtari i Kryesisë së PDK-së.
Ai ka thënë se tregtia e mallrave në vitin 2021 kishte deficit tregtar në vlerë prej afro 4 miliardë Euro, që tregon për një vlerë më të lartë se 39.2% krahasuar me vitin 2020.
Sipas tij, ka rekord negativ importesh me 4,6 miliardë Euro.
“Të dhënat e tregtisë së mallrave për Importin e Kosovës në vitin 2021 kanë shënuar një rritje vjetore për 42.1% krahasuar me vitin 2020”, ka thënë Stavileci.
Sipas tij, Qeveria duhet sa më parë të reagojë, që gjendja edhe më tutje të mos degradojë.
“Meqenëse nuk po ka vizion, më e pakta që mund ta bëjë është që t’i imitojë qeveritë e rajonit dhe ato europiane që po u dalin në ndihmë qytetarëve me masa konkrete. Secila prej tyre ka përgatitur pako të lehtësimit dhe po zbaton politika e masa kreative dhe të guximshme në përballje me këtë krizë ekonomike”, ka thënë Stavileci.
Sipas tij, heqja e TVSH-së dhe akcizës për një periudhë të caktuar, janë vetëm disa nga veprimet, me të cilat do të mund të përmirësohej kjo gjendje.
Ai ndër të tjera ka thënë se Qeveria nuk e ka pasur fajin për shtrenjtimin e çmimeve në tregjet e jashtme, por ajo ka shumë faj në politikat e brendshme, që sipas tij, nuk po e merr as mundin minimal për të bërë zgjidhje.
“Është përgjegjësi e saj, është detyrë e saj. Këtu nuk ka asnjë dyshim.”, ka thënë Blerand Stavileci.
Në fund, ai ka thënë se qytetarët duan zgjidhje.
“Qytetarët meritojnë zgjidhje. As këtu nuk ka asnjë pikë dyshimi”, ka përfunduar Stavileci.
Ndërkaq, edhe javën e kaluar, Stavileci ka mbajtur një konferencë për media, ku kishte thënë se rritja e pagës minimale dhe tërheqja e kursimeve nga Trusti, janë zgjidhja e duhur për të ndaluar krizën e varfërisë, në të cilën, siç thotë ai, po thellohen qytetarët.
Stavileci: Rritja e pagave dhe tërheqja e mjeteve nga Trusti të bëhen sa më shpejt