Steiner: Serbia të ballafaqohet me të kaluarën e saj kriminale, derisa s’e bën do të sorollatet si një zombi në historinë e saj

Ish-shef i UNMIK-ut, Michael Steiner ka theksuar se pavarësia e Kosovës është fakt dhe realitet dhe nëse Serbia refuzon ta njohë këtë realitet, ky nuk është më problem për Kosovën, por për vetë Serbinë

“Krimet serbe në Kosovë kanë ndodhur dhe për këtë organizatat ndërkombëtare kanë dhënë qëndrimin e tyre. Që Serbia të ballafaqohet dhe ta shohë këtë të vërtetë me sytë e saj dhe të marrë qëndrim për këtë realitet që ka ndodhur, është në radhë të parë në interesin e vetë Serbisë”.

Kështu ka thënë diplomati Michael Steiner, ish-shef i UNMIK-ut dhe ish-këshilltar i kancelarit gjerman, Gerhard Schroder, në një intervistë për RTK.

Ai ka theksuar se pavarësia e Kosovës është fakt dhe realitet dhe nëse Serbia refuzon ta njohë këtë realitet, ky nuk është më problem për Kosovën, por për vetë Serbinë.

“Për sa kohë që Serbia nuk e bënë këtë, do të sorollatet si një zombi në historinë e saj”, ka thënë Steiner.

Steiner ka folur edhe për përshtypjet për Kosovën, që nga koha kur e ka përfunduar mandatin si shef i UNMIK-ut.

“Gjatë kësaj kohe kemi parë ndërrim demokratik të qeverive dhe pushteteve, ndërsa janë zhvilluar mirë institucionet shtetërore. Gjithashtu, mund të shihet se ka pasur edhe një zhvillim politik të shoqërisë civile e cila ka evoluar nga një shoqëri e dalë prej dhunës dhe luftës, në një shoqëri civile gjithnjë e më stabile. Natyrisht, edhe më tej ka probleme për sa i përket luftimit të korrupsionit, pastaj probleme të zhvillimit ekonomik, por parë në tërësi, kam një ndjenjë të mirë për arritjet e shënuara”, tha ai.

Ai ka theksuar se për Kosovën, është me shumë rëndësi që për sa kohë ekziston ky realitet refuzues nga ana e Serbisë, Kosova të mos ketë disavantazhe praktike nga kjo gjendje.

“P.sh. të mos ketë pengesa gjatë anëtarësimit në organizata dhe institucione ndërkombëtare, pastaj të mos ketë pengesa në aspektin e zhvillimit ekonomik, sigurisë, udhëtimit të lirë etj. Natyrisht, kjo do të duhej të vlente për të dyja vendet dhe kjo është vendimtare, prandaj kjo është edhe ideja bazike e Planit gjermano-francez për Normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve”, tha ai.

Ai është përgjigjur edhe rreth asaj që edhe 24 vjet pas luftës Serbia nuk po kërkon falje për krimet e kryera.

“Objektivisht kjo çështje është sqaruar. Krimet serbe në Kosovë kanë ndodhur dhe për këtë organizatat ndërkombëtare kanë dhënë qëndrimin e tyre. Që Serbia të ballafaqohet dhe ta shohë këtë të vërtetë me sytë e saj dhe të marrë qëndrim për këtë realitet që ka ndodhur, është në radhë të parë në interesin e vetë Serbisë. Sido që të jetë, e rëndësishme është që objektivisht gjërat janë të qarta, janë sqaruar dhe është thellësisht e domosdoshme që Serbia të konfrontohet me të kaluarën e saj kriminale, për të çliruar vetveten, në mënyrë që të mund të punojë me gjithë forcën drejt së ardhmes”, tha ai.

Teksa ka folur për çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Stenier tha se nuk sheh asnjë rrezik për Kosovën nga Asociacioni.

Steiner beson se tashmë rruga për integrime euro-atlantike është e trasuar.

“Kosova është një vend evropian dhe i përket familjes evropiane ku e ka vendin dhe duhet të jetë pjesë e Bashkimit Evropian. E di që kjo rrugë ka zgjatur shumë dhe është e gjatë, aq sa nganjëherë më irriton edhe mua pse funksion disi ngadalë. Sidoqoftë, perspektiva evropiane e Kosovës është qartë e siguruar. Nuk e di se kur kjo ditë do të vijë, por e di që kjo ditë do të vijë…”, tha ai.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika