Stërzgjatja e luftës në Ukrainë, thellimi i pasojave të shumëfishta

Shumëkush ka besuar se Rusia, pavarësisht paralajmërimeve, nuk do të niste luftë në Ukrainë. Përveç që ndodhi e kundërta, lufta ka mbushur vitin e parë, e fundi i saj nuk vlerësohet afër. Një stërzgjatje e konfliktit parashikohet të thellojë pasojat e shumëfishta për vendet perëndimore. Kurse e ndjeshme dhe me potencial destabilzimi vlerësohet edhe situata e sigurisë në Ballkanin Perëndimor, ku Rusia e shton dita ditës ndikimin e saj

[1/2] Ushtarët ukrainas shihen pranë vijës së frontit, mes sulmit të Rusisë në Ukrainë, pranë Soledar në rajonin Donetsk, Ukrainë, 23 janar 2023. REUTERS/Oleksandr Ratushniak

24 shkurti i sivjetmë nuk ka ndryshuar pothuajse aspak për Ukrainën me 24 shkurtin e kaluar.

Ukrainasit vazhdojnë të përballen me pushtimin nga Rusia, konflikt ky që nuk mendohej se do të zgjaste, e aq më pak një vit.

Përpjekjet e para për t’u dhënë fund luftimeve u bënë në 10 ditë pasi pushtimi kishte nisur.

Por, armëpushimi i arritur në Ukrainën Lindore dështoi pak orë pas nisjes. Kievi dhe Moska shkëmbyen akuza për mosrespektim të zotimeve.

Shumë shtete, në mesin e tyre Turqia, Franca e Izraeli ofruan ndihmë disa herë për negocimin e armëpushimit gjithëpërfshirës, por nuk u arrit sukses.

Kështu, stërzgjatja e konfliktit në këtë pjesë të Evropës shihet me ankth në Kosovën e dalë rishtazi nga një luftë e ngjashme.

Pasojat nga një gjendje e tillë llogariten të jenë të mëdha sipas profesorit të marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi.

“Stërzgjatja e konfliktit mund ta zgjerojë konfliktin edhe në vendet e NATO-s apo në ato që janë të përafërta me NATO-n, ose vendet skandinave. Dhe ky është një rrezik jashtëzakonisht i madh nëse konflikti nuk e gjenë atë paqen në një vjetorin e kësaj lufte. Shpresojmë që shumë shpejtë mund të arrihet paqja sepse mund të ketë efekte pastaj në ekonomitë e vendeve, sidomos atyre më pak të zhvilluara dhe kjo të krijojë një prishje të zinxhirit furnizues të ushqimit, sidomos të grurit dhe kjo do të krijojë një problematikë globale sa i përket ushqimit”, ka thënë Arifi.

Paralelisht me luftën në Ukrainë, Putini, sipas ish-diplomatit shqiptar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Agim Nesho, dëshiron që ta zhvendosë vëmendjen e Perëndimin duke tensionuar Ballkanin.

“Putinit i intereson në të gjitha mënyrat që të bëjë një zgjatim të konfliktit Rusi-Ukrainë në një rajon tjetër, sidomos në Ballkan ku interesat e tij mbrohen nga regjime proksi siç është Serbia dhe interesat që ka Rusia në Ballkan për të mos mundësuar atë integrimin ballkanik në strukturat euro-atlantike. Rusia gjithmonë e ka shprehur që kërkon një Ballkan të paangazhuar, që të mos jetë pjesë e NATO-s dhe mundësisht të mos jetë pjesë e Bashkimit Evropian”, ka thënë Nesho.

E, së fundmi pas SHBA-së, ka qenë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky i cili ka shprehur shqetësim lidhur me atë që e quan gatishmëri të Kinës për t’i dhuruar armë Rusisë.

Mirëpo, profesori Arifi nuk sheh interes te Kina për përfshirje në luftë.

“Kina nuk besoj që duhet të futet në konflikt për shkak se Kina humbë shumë nëse futet në konflikt me Perëndimin. Por, Kina po e shfrytëzon në mënyrë djallëzore luftën në Ukrainë sepse Kina në të njëjtën kohë po bën tregti me Rusinë, pra me një çmim shumë të ulët të blerjes së mallrave ruse, gazit, naftës e gjërave të tjera dhe kjo në një far mënyre ia lehtëson Kinës operimin në këtë fushë”, ka theksuar Arifi.

Përfundimin e konfliktit nuk e vlerëson afër diplomati Nesho.

“Lufta do të vazhdojë. Lufta kërkon një kompromis, por ky kompromis do të vijë vetëm atëherë kur të dy vendet do të jenë të barabarta dhe jo njëra të jetë përpara tjetrës në avantazhet strategjike në luftë. Prandaj, po të kemi një situatë të disbalancuar, lufta do të vazhdojë derisa të arrihet një ekuilibër i ri”, ka shtuar Nesho.

Autoritetet ukrainase kanë paralajmëruar se Rusia planifikon një ofensivë të madhe ushtarake që lidhet me 1-vjetorin e pushtimit të Ukrainës.

Shija e redaktorit

Blinken uron Shqipërinë: Lidhjet tona do të vazhdojnë të lulëzojnë

Në një mesazh për 28 Nëntorin, sekretari i Shtetit të SHBA-së, Antony  Blinken, shprehu urimet e tij për popullin shqiptar, duke theksuar marrëdhëniet e...

Osmani: 28 Nëntori, kujtim i sakrificave dhe simbiozë e tri...

Në një urim për 28 Nëntorin, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka theksuar rëndësinë historike të kësaj dite, duke e cilësuar atë si një...

Gjeneral Jashari takohet me Shefen e Mbrojtjes së Forcave të...

Gjatë vizitës zyrtare në Kanada, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zhvilloi një takim bilateral me Shefen e Mbrojtjes së...

Të fundit nga rubrika