Çedomir Stojkoviq, avokat i politikanit serb, Nikola Sanduloviq, ka paralajmëruar se sot do të vendosë lule te varri i Blerina Jasharit, vajzës shtatëvjeçare të vrarë në Prekaz.
Vendosja e luleve është paraparë të bëhet në orën 15:00.
Dje, Stojkoviq tha për Radio Dukagjinin se nuk ia ka drojën pasojave shtetërore për këtë vizitë.
Për më tepër, thotë se pret të shohë se a do të reagojë Serbia ndaj tij, njësoj si ndaj Sanduloviqit.
Ndryshe, opozitari serb, Nikola Sanduloviq, është arrestuar nga shërbimi sekret serb BIA, pasi i njëjti ka bërë homazhe te kompleksi memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Sipas familjarëve të tij, ai është torturuar dhe i është vendosur masa e paraburgimit me akuzën se ka bërë “Nxitje të urrejtjes”.