Stoltenberg: Dhuna në Kosovë i rrezikon aspiratat euroatlantike

Shefi i NATO-së, Jens Stoltenberg, ka dënuar dhunën në veri të Kosovës dhe ka deklaruar se Aleanca Veriatlantike do të rrisë numrin e trupave në Kosovë me 700 pjestar, në kuadër të misionit të saj

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka bërë të ditur se aleanca veriatlantike do ta rrisë për 700 numrin e trupave në Kosovë, në kuadër të misionit të saj, KFOR.

Në një konferencë për media me kryeministrin norvegjez, Jonas Gahr Store, ai i ka dënuar sulmet që kanë ndodhur ndaj pjesëtarëve të KFOR-it të hënën në veri të Kosovës dhe ka thënë se ato janë të “papranueshme”.

“Ne kemi vendosur t’i angazhojmë 700 trupa shtesë nga Forca Operacionale Rezervë për Ballkanin Perëndimor dhe që të ngrejmë në nivel të lartë gatishmërinë e një batalioni shtesë të forcave rezervë, ashtu që ata të mund të angazhohen, nëse do të ketë nevojë”.

Sipas Stoltenbergut, dhuna është duke e kthyer prapa Kosovën dhe gjithë rajonin, si dhe i vë në rrezik aspiratat euroatlantike.

“Prishtina dhe Beogradi duhet të marrin hapa konkretë për ulje të tensioneve, të përmbahen nga sjelljet e papërgjegjshme dhe të angazhohen në dialog të ndërmjetësuar nga BE-ja, si rrugë e vetme për paqe afatgjatë”, tha ai, shkruan REL.

Më herët gjatë ditës, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha se Qeveria e Kosovës nuk është koordinuar me Shtetet e Bashkuara për veprimet e ndërmarra në veri dhe për këtë arsye ka pësuar pasojën e parë: “‘stërvitjet Defender Europe 2023 kanë marrë fund’ për të”.

Ai iu referua vendimit të Qeverisë së Kosovës për t’i instaluar me forcë kryetarët shqiptarë të komunave me shumicë serbe në veri të vendit – Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – përkundër rezistencës së vazhdueshme të banorëve lokalë, që rezultoi në dhunë.

Ai citoi sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, i cili paralajmëroi se këto veprime do të ndikojnë në marrëdhëniet SHBA-Kosovë, dhe tha se anulimi i pjesëmarrjes së Kosovës në stërvitjet “Defender Europe 2023” është pasoja e parë për Qeverinë e Kosovës në këtë drejtim.

Që nga 26 maji, në veri të Kosovës janë rritur tensionet, pasi po atë ditë, krerët e rinj të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut u futën në ndërtesat komunale nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, më 30 maj kërkoi nga Kosova që të pezullojë operacionet policore rreth ndërtesave komunale në veri, në mënyrë që, sipas tij, të ulen tensionet në këtë pjesë.

Paraprakisht, Qeveria e Kosovë ka mbrojtur vendimin e saj për t’i çuar kryetarët e rinj në ndërtesat komunale, teksa për dhunën në Zveçan ka fajësuar Beogradin për “dirigjim të turmës ekstremiste”.

Komunat veriore të Kosovës u tensionuan pasi kryetarët e dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit – të gjithë shqiptarë – u kundërshtuan nga serbët lokalë.

Më 26 maj, pesë policë u lënduan gjatë përleshjeve me protestuesit serbë, të cilët hodhën gurë në drejtim të tyre. Policia u kundërpërgjigj me shok-bomba dhe me gaz lotsjellës.

Ndërsa, të hënën e 29 majit, të paktën 25 ushtarë të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, kanë mbetur të plagosur si pasojë e përleshjeve me qytetarët serbë në komunën e Zveçanit në veri të Kosovës.

Krerët e mëparshëm të katër komunave në veri, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq, të banuara me shumicë serbe, ishin nga Lista Serbe.

Por, ata u dorëhoqën në nëntor të vitit të kaluar, në shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave në targa RKS – Republika e Kosovës.

Zgjedhjet e 23 prillit u bojkotuan nga Lista Serbe dhe nga popullata shumicë serbe në veri, e cila tani nuk i pranon rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika