Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka pritur në takim kryeministren e Estonisë, Kaja Kallas.
Stoltenberg ka bërë të ditur se në këtë takim temë diskutimi ka qenë edhe situata në Kosovë.
Ai sërish u ka bërë thirrje Kosovës e Serbisë për shtensionim të situatës në veri.
“Ne u bëjmë thirrje të dyja palëve që të përmbahen nga çdo gjë që mund të përshkallëzojë më tej tensionet dhe të kthehen menjëherë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, që është e vetmja rrugë përpara”, ka thënë Stoltenberg.
Ndryshe, tensionet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, të Zubin Potokut dhe të Leposaviqit, hynë në ndërtesat komunale nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.
Serbët kundërshtuan këtë dhe që atëherë po zhvillojnë protesta duke kërkuar tërheqjen e kryetarëve të rinj dhe të njësive speciale policore.
Bashkësia ndërkombëtare i ka paraqitur Kurtit tri kërkesa kryesore: qetësimin e situatës në veri, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore dhe rikthimin në dialogun për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.
Ndërkaq, nga Beogradi është kërkuar që të sigurojë që serbët të marrin pjesë pa kushte në zgjedhjet eventuale lokale.
Kurti ka paraqitur një plan prej pesë pikash, që parasheh edhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja, por për mbajtjen e tyre ai ka thënë se nevojitet shtet ligjor.