Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka deklaruar se incidenti në Poloni “ka gjasa” që të jetë shkaktuar nga aktiviteti i sistemeve të mbrojtjes ajrore të Ukrainës.
Megjithatë, sipas tij “Rusia mban përgjegjësinë përfundimtare ndërsa vazhdon luftën e saj të paligjshme kundër Ukrainës”.
“Analizat tona preliminare sugjerojnë se incidenti me gjasë u shkaktua nga një raketë e mbrojtjes ajrore të Ukrainës që u lëshua për ta mbrojtur territorin ukrainas ndaj sulmeve ruse”, është shprehur Stoltenberg.
Po ashtu, Stoltenberg ka thënë se aleatët e NATO-s kanë shprehur “mbështetje të fortë” për aleatin e tyre Poloninë.
Ai shtoi se ka rritur ndjeshëm praninë e saj ushtarake në lindje që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia.
“Ne vazhdimisht po vlerësojmë se çfarë duhet të bëjmë më shumë”, ka thënë ai.
Stoltenberg shtoi se nuk ka indikacione që Rusia po planifikon sulm ndaj NATO-s dhe se ata duhet të rrinë “vigjilentë, të qetë dhe të koordinuar ngushtë”, pasi që “lufta në Ukrainë mund të ketë pasoja për territorin e NATO-s”.
I pyetur nëse mund të japë më shumë detaje në lidhje me shpërthimin e raketave në Poloni, Stoltenberg thotë se nuk do të ishte e drejtë të jepte më shumë detaje ndërkohë që një hetim është në vazhdim, duke përsëritur se gjetjet paraprake tregojnë se ka të ngjarë të ishte një raketë e mbrojtjes ajrore ukrainase.
Këto deklarata ai i bëri në një konferencë për media pas takimit urgjent të vendeve anëtare, pasi më 15 nëntor dy persona u vranë në Poloni nga një raketë.
Edhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, u tha aleatëve se raketa që vrau dy njerëz në Poloni ishte një raketë e mbrojtjes ajrore ukrainase.
Biden organizoi të mërkurën e 16 nëntorit një takim të vendeve anëtare të G7-s dhe partnerëve të NATO-s, ku u diskutua për rënien e raketave në territorin polak një ditë më herët.
“Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka informuar G7-n dhe partnerët e NATO-s se raketa që ra në territorin polak është një raketë e mbrojtjes ajrore ukrainase”, raportoi Reuters, duke cituar burime të NATO-s.
Sipas nenit 4 të traktatit themelues të aleancës, anëtarët mund të ngrenë çdo çështje shqetësuese, veçanërisht lidhur me sigurinë e një vendi anëtar.
Hetimet vazhdojnë për rrethanat rreth një shpërthimi në Przeëodoë, pranë kufirit të Polonisë me Ukrainën që la të vdekur dy persona.