Ukraina ka arritur “shumë” në inkursionin e saj brenda rajonit Kursk të Rusisë, por është e vështirë të thuhet se si do të zhvillohet situata më tutje, tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, të enjten në Oslo.
“Vetëm ukrainasit mund të marrin vendime të vështira që nevojiten, si për shembull, se ku t’i zhvendosin forcat e tyre dhe se çfarë lloji i luftës është i duhur në këtë situatë”, tha Stoltenberg.
Kievi pretendon se i ka marrë nën kontroll më shumë se 1.200 kilometra katrorë të tokës ruse falë inkursionit befasues muajin e kaluar. Kjo është hera e parë prej Luftës së Dytë Botërore që ndodh një inkursion në tokën ruse.
Ndërkohë, forcat ruse kanë shënuar përparime të mëdha në përpjekjet e tyre për ta kapur qytetin strategjik të rajonit lindor të Ukrainës, Pokrovsk.
Stoltenberg tha se Ukraina ka të drejtë për vetëmbrojtje, përfshirë për përdorimin e raketave me rreze të gjatë veprimi të cilat mund t’i arrijnë shënjestrat e tyre brenda Rusisë.
“Jam i kënaqur që shumë vende të NATO-s ia kanë dhënë atë mundësi, ndërsa ato të cilat s’i kanë hequr ende kufizimet, i kanë zbutur ato, në mënyrë që Ukraina të mund ta mbrojë veten”, shtoi Stoltenberg.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, do të marrë pjesë të premten në një takim të Grupit Ramstein, një koalicion i shteteve që e furnizojnë Ukrainën me armë, ku pritet të kërkojë rritjen e furnizimit me armë, posaçërisht me raketa me rreze të gjata veprimi, sipas gazetës gjermane “Spiegel”.
Zelensky i është lutur aleatëve ta ndihmojnë Kievin me mbrojtje ajrore dhe t’i heqin kufizimet që ia pamundësojnë atij përdorimin e armëve të tyre me rreze të gjata veprimi për sulme brenda Rusisë./REL