Studentët e vitit të tretë të Fakultetit të Shkencave Kompjuterike në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, Elsa Emerllahu, Erda Bilalli, Ervana Salihu, Adhuresa Salihu dhe Vlera Matoshi, më 27 janar 2025 prezantuan Sistemin për Menaxhimin e Ushqimit të Shëndetshëm për Studentë (SMUSHS), një platformë inovative e zhvilluar në kuadër të lëndës Projekti SEW, nën udhëheqjen e Prof. Asoc. Dr. Lindita Nebiu Hyseni.
Ky sistem ofron mundësi për studentët të menaxhojnë ushqimin në konvikt, duke mundësuar përzgjedhjen e menyve ditore dhe javore, planifikimin e dietave të personalizuara dhe suplementeve, si dhe mundësi këshillimi online me nutricistë. Po ashtu, platforma ofron mundësi për monitorimin e përparimit personal përmes statistikave dhe analizave të sistemit.
Prof. Asoc. Dr. Lindita Nebiu Hyseni vlerësoi punën e studentëve, duke theksuar se ky projekt inovativ jo vetëm që reflekton përkushtimin dhe aftësitë e jashtëzakonshme të studentëve tanë, por gjithashtu dëshmon se si teknologjia mund të kontribuojë në përmirësimin e cilësisë së jetës studentore dhe mirëqenies së tyre.
Ky projekt jo vetëm që demonstroi aftësitë teknike dhe kreative të studentëve, por gjithashtu tregoi rëndësinë e mbështetjes institucionale për realizimin e projekteve të tilla, duke kontribuar në përmirësimin e jetës studentore dhe krijimin e mundësive për mbështetje të studentëve.