Të mërkurën, mijëra studentë dhe kundërshtarë të tjerë të Qeverisë së Hungarisë dolën në rrugët e Budapestit për të kërkuar reforma arsimore dhe një ndryshim në klimën politike të vendit.
Organizuar nga grupet studentore, demonstrata e quajtur “marshimi i lirisë” synoi presionin ndaj qeverisë hungareze për të përmirësuar kushtet e punës dhe për të siguruar rritje të pagave për mësimdhënësit.
Ata kërkojnë gjithashtu shfuqizimin e legjislacionit që kufizon të drejtën e mësuesve për të hyrë në grevë, shkruan REL.
Teksa marshonin në një nga rrugët kryesore të Budapestit, protestuesit brohorisnin parulla si “pa mësues, pa të ardhme” dhe “greva është një e drejtë themelore”.
Grupet e studentëve dhe mësimdhënësit janë përfshirë në greva, braktisje të mësimit dhe akte të tjera të mosbindjes civile muajt e fundit, pasi qeveria nuk përmbushi kërkesat e tyre, duke rezultuar në shkarkimin e disa mësimdhënësve.
Protesta e 15 marsit u organizua me rastin e një feste kombëtare të Hungarisë, datë në të cilën tradicionalisht organizohen marshe të mëdha patriotike.
Qeveria hungareze merr shpesh kritika nga Bashkimi Evropian, pasi janë ngritur shqetësime për korrupsion të përhapur në nivel institucional, si dhe për shkeljen e standardeve të sundimit të ligjit të bllokut nën udhëheqjen e kryeministrit Victor Orban.
Për shkak të këtyre shqetësimeve, Bashkimi Evropian ka ndaluar disbursimin e miliarda eurove për Budapestin.
Orban shpesh i është referuar BE-së si një “perandori” që kërkon të dominojë Hungarinë, ashtu si Perandoria Austriake dhe Bashkimi Sovjetik në shekujt 19 dhe 20.
Ai fitoi mandatin e tij të katërt në zgjedhjet e vitit 2022.