Studentët protestues dhe mbështetësit e Vuçiqit mbajnë tubime paralele, teksa tensionet rriten në Serbi

Mijëra studentë mbërritën në qytetin qendror të Serbisë, Kragujevc, të shtunën, për të kërkuar llogaridhënie dhe përgjegjësi nga autoritetet, pas incidentit vdekjeprurës në stacionin e trenit në Novi Sad në nëntor.

Mijëra studentë mbërritën në qytetin qendror të Serbisë, Kragujevc, të shtunën, për të kërkuar llogaridhënie dhe përgjegjësi nga autoritetet, pas incidentit vdekjeprurës në stacionin e trenit në Novi Sad në nëntor.

Njëkohësisht, mbështetësit e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kanë planifikuar mbajtjen e një tubimi për ta shënuar 15 Shkurtin, Ditën e Shtetësisë, në Sremska Mitrovicë, në veriperëndim të Beogradit.

Protesta e udhëhequr nga studentët është më e fundit në një varg protestash gjithëkombëtare prej 1 nëntorit, kur shembja e një strehe në stacionin e trenit në Novi Sad la të vdekur 15 njerëz.

Për këtë tragjedi, shumë serbë e fajësojnë korrupsionin dhe nepotizmin brenda qeverisë së presidentit Vuçiq, e cila i mohon akuzat. Analistët politikë thonë se demonstratat kanë krijuar një nga kërcënimet më të mëdha ndaj pushtetit dhjetëvjeçar të Vuçiqit.

Për më shumë se dy muaj, studentët në Serbi janë duke bllokuar dhjetëra fakultete në të gjithë vendin. Ata kërkojnë përgjegjësi penale dhe politike për incidentin në Novi Sad.

Protesta në Kragujevc

Studentët e zgjodhën Kragujevcin, ku synojnë ta bllokojnë njërin prej bulevardeve kryesore të qytetit për 15 orë e 15 minuta, në nderim të viktimave.

Studentët arritën në Kragujevc të premten dhe u pritën me brohoritma dhe mbështetje nga banorët. Para protestës të së shtunës, ata organizuan marshime në zona të ndryshme të vendit, duke inkurajuar njerëzit të mblidheshin në Kragujevc. Gjatë udhëtimit të tyre, njerëzit i përshëndetën me ushqim dhe pije dhe ofruan strehim, shumë duke qarë dhe shprehur shpresë për ndryshim.

Elementet problematike

Në protestat e studentëve në Serbi, megjithatë, janë vërejtur edhe disa elemente ekstremiste.

Radio Evropa e Lirë ka raportuar në janar se si në një protestë të tillë janë vënë re edhe simbole të disa organizatave të ekstremit të djathtë, si dhe flamuj të shumtë me hartën e Kosovës dhe me mesazhin “Nuk ka dorëzim”.

Të pranishëm kanë qenë edhe përfaqësues të shoqatës së ekstremit të djathtë “Klub 451”, e cila – bazuar në postimet e saj në rrjetet sociale – kundërshton pavarësinë e Kosovës, mbështet shkëputjen e Republikës Sërpska nga pjesa tjetër e Bosnje e Hercegovinës, kundërshton integrimin e refugjatëve dhe publikon mesazhe urrejtjeje ndaj pjesëtarëve të komunitetit LGBT.

Në protesta është vërejtur edhe prania e veteranëve të Brigadës së 63-të të Parashutës – një njësi taktike e ushtrisë serbe, e cila ka marrë pjesë edhe në luftën në Kosovë. Ata u panë edhe në Kragujevc sot, si dhe flamujt me hartën e Kosovës dhe mbishkrim “Nuk ka dorëzim”.

Studentët, megjithatë, janë distancuar prej këtyre organizatave.

Ndërkohë, në Sremska Mitrovicë, një qytet i vogël në veriperëndim të Beogradit, pritet që Vuçiqi ta riciklojë një temë tradicionale nacionaliste, duke paralajmëruar se Perëndimi do të përpiqet ta rrëzojë atë nga pushteti me forcë dhe se kjo mund të çojë në ndarjen e vendit.

Autoritetet serbe pritet të sjellin me autobusë mijëra mbështetës nga e gjithë Serbia dhe Bosnje e Hercegovina në Sremska Mitrovicë të shtunën. Disa aktivistë të opozitës kanë thënë se do të përpiqen të pengojnë mbërritjen e tyre.

Lëvizja kundër korrupsionit është sfida më e madhe për Vuçiqin në vitet e fundit. Presidenti – i cili ka udhëhequr Serbinë për më shumë se një dekadë – dhe partia e tij Partia Progresive e Serbisë janë akuzuar më parë për shtypjen e lirive demokratike dhe diskreditimin publik të kundërshtarëve, sipas vëzhguesve ndërkombëtarë të zgjedhjeve.

Shembja e strehës, që besohet të ketë ndodhur për shkak të korrupsionit të qeverisë, është bërë pikënisja e pakënaqësive më të gjera ndaj qeverisë, me studentët e universiteteve që janë në krye të protestave kundër korrupsionit.
Prokurorët kanë ngritur aktakuzë kundër 13 personave për shembjen e strehës në stacionin e trenit në Novi Sad, dhe protestat kanë detyruar kryeministrin e Serbisë të japë dorëheqje. Por, studentët kanë thënë se protestat e tyre do të vazhdojnë deri sa kërkesat e tyre për llogaridhënie të plotë të plotësohen.

Në tre muajt e fundit, Vuçiqi herë i ka akuzuar studentët se po punojnë për fuqitë e huaja, herë ka thënë se do të bëjë lëshime dhe ka pretenduar se e ka përmbushur çdo kërkesë të studentëve. Por, gjatë një vizite këtë javë në Republikën Sërpska, entitetin serb të Bosnjës, Vuçiq ka përsëritur pretendimet për një komplot të dyshuar nga jashtë për t’i rrëzuar nga pushteti atë dhe qeverinë e tij.

Autoritetet, tha Vuçiq, “nuk mund të besonin sa shumë para janë investuar për ta rrëzuar qeverinë në Serbi”. Ai nuk ofroi prova për këto pretendime.

Shija e redaktorit

Osmani takon presidenten Keller-Sutter: Zvicra vazhdon të jetë një nga...

Presidentja Vjosa Osmani është takuar me presidenten e re të Zvicrës, Karin Keller-Sutter në kuadër të takimeve që ka me liderë botërorë në konferencën...

Bëhuni pjesë e lojës shpërblyese të shtëpisë botuese “Dukagjini” –...

Shtëpia botuese “Dukagjini” fton të gjithë lexuesit të bëhen pjesë e garës “Review për librat tanë”. Në këtë konkurs, ftohen të gjithë lexuesit e botimeve...

Rutte: NATO po ndjek zgjedhjet në Kosovë, duket se do...

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka komentuar zhvillimet politike në vend gjatë një konference për media, duke vënë në pah se aleanca...

Të fundit nga rubrika