Gjashtë nga 15 të akuzuarit në rastin “Subvencionet 2” janë shpallur fajtor nga Gjykata Themelore e Prishtinës.
Që të gjithë ishin të akuzuar për dhënie ryshfeti dhe mashtrim me subvencione.
“Me pëlqimin e të pandehurit Ramadan Zeqiraj, dënimi me burg në kohëzgjatje prej 6 muajve mund t’i zëvendësohet me dënim me gjobë në shumë prej katër mijë euro. Ndërsa për veprën penale mashtrim me subvencione, të pandehurit Ramadan Zeqiraj, Gjykata i shqipton dënim me gjobë në shumë prej 5 mijë euro”, ka thënë gjyqtarja Violeta Namani.
Përveç këtij dënimi, Zeqirajn Gjykata e ka obliguar që ta bëjë kompensimin e dënimit që i është shkaktuar buxhetit të shtetit në shumën prej 12 mijë euro.
Të gjithë të akuzuarit në total për veprat penale “Marrje ryshfeti”, “Dhënie ryshfeti”, “Ushtrim ndikimimi” dhe “Mashtrim me subvencione”, u dënuan me katër vjet burgim dhe 10 mijë euro gjobë.
Dukagjin Dedaj, Pashkë Krasniqi dhe Sadri Berisha, secili veç e veç për dhënie ryshfeti u dënuan me 1 mijë euro gjobë dhe dënim me burgim në kohëzgjatje prej 6 muajsh, dënim i cili mund të zëvendësohet me dënim me gjobë prej 4 mijë euro.
E Blerim Mulliqi për marrje ryshfeti u dënua me 1 vit e gjashtë muaj burgim, si dhe u detyrua që të bëjë kompensimin e dëmit në vlerë prej 8 mijë e 400 euro.
Mulliqit i është shqiptuar edhe dënim plotësues, mos ushtrimi i profesionit në administratë publike.
I pandehuri tjetër, Bekim Bruqi, u dënua për veprën penale ushtrim ndikimi me gjobë në shumën prej 1 mijë euro, si dhe me burgim në kohëzgjatje prej 6 muajsh. Edhe Bruqit, burgimi mund t’i zëvendësohet me gjobë.
Që të gjithë e kanë pranuar fajësinë.
Sipas aktakuzës, të pandehurit që gjatë kryerjes së veprës penale kanë qenë inspektor Regjional ne Zyrën Regjionale në Pejë, akuzohen për mashtrime me subvencione kryesisht në rajonin e Pejës dhe në Prishtinë.
Gjykimi në këtë rast do të vazhdojë për të akuzuarit tjerë që nuk e kanë pranuar fajësinë, Luan Statovci, Sedat Shkodra, Berat Nika, Gëzim Morina, Rasim Zekaj, Afrim Mehmetaj, Donard Draga, Hazir Metaj dhe Hysni Morina.