Sudani, shtet në verilindje të Afrikës, e ka njohur pavarësinë e Kosovës të shtunën.
Lajmin për njohjen e Kosovës nga Sudani e ka dhënë e para e shtetit, presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
Në një njoftim në X, presidentja Osmani tha se Kosova dhe Sudani janë pajtuar për të lidhur marrëdhënie diplomatike.
“Ky është fillimi i një partneriteti madhështor”, ka shkruar Osmani.
Njohja nga Sudani është e dyta për brenda javësh për Kosovën, pasi një shtet tjetër afrikan, Kenia e njohu atë në fund të marsit.
Në një video përkrah ministrit të Jashtëm të Sudanit, Ali Yousuf al-Sharif, në Forumin e Diplomacisë në Antalia të Turqisë, Osmani tha se u njoftua nga ai për vendimin e presidentit të Sudanit për ta njohur Kosovën dhe për të lidhur marrëdhënie mes dy vendeve.