Takimi i presidentes Vjosa Osmani me homologun e saj turk, Recep Tayyip Erdogan, përveç konfirmimit të raporteve të mira mes dy shteteve, duket se solli edhe një njohje të re për Kosovën.
Me ndihmën e presidentit turk, shteti nga verilindja e kontinentit të Afrikës, Sudani, njohu Republikën e Kosovës, duke u bërë kështu zyrtarisht shteti i 119-të që njeh pavarësinë e shtetit më të ri në Europë.
Këtë njohje e mirëpriti edhe Qeveria e Kosovës, që falënderoi dhe i njohu meritat presidentes.
Megjithatë, këto merita për njohjen e shtetit afrikan, analistët politikë thonë që vijnë vetëm pas ndihmës nga Turqia.
“Si njohja nga Sudani, ashtu edhe takimi me presidentin e Sirisë, shihet qartë që janë meritë ekskluzive e presidentit të Turqisë, Erdogan. Po shihet ndikimi, pra tash roli dhe kontributi i Kosovës është për shkak të marrëdhënieve specifike që ka me presidentin e Turqisë, por nuk mund të themi që për këtë njohje ka meritë specifike”, ka deklaruar Afrim Kasolli – Analist politik.
Kasolli këtë ndihmë të Turqisë, pikërisht në këto momente, nuk e hedh poshtë që vjen edhe si shkak i interesave të kompanive turke në Kosovë, siç janë këto të KEDS-it për shtrenjtimin e energjisë, pasi, sipas tij, të njëjtat nuk janë kritikuar as nga pozita e as nga opozita.
Por, një ish-diplomat njohjen e shtetit të Sudanit e sheh në një prizëm tjetër.
Shteti me afro 44 milionë banorë mund të jetë ndikues në njohje të tjera nga ky kontinent.
Veçse, sipas tij, politika e jashtme e udhëhequr nga ministrja Gërvalla është pa asnjë drejtim, dhe ai dyshon se mund të mbajë raporte me këtë shtet.
“Po, sikurse qeveria të ishte përpjekur për 4 vite me radhë të mos i humbte kot ato vite, por të përpiqej të bashkëpunonte me njerëzit që kanë rrjet dhe kontakte, por edhe me partnerët tanë, me siguri që gjithmonë vijnë dhe njohjet – për shkak se kështu vijnë njohjet”, ka theksuar Blerim Canaj, ish-diplomat.
Para Sudanit, Kosovën e njohu shteti i Kenias, që vjen gjithashtu nga Afrika, dhe ndër meritorët për këtë njohje u konsiderua ish-presidenti Behgjet Pacolli.