Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka uruar Suedinë për anëtarësimin e saj në NATO. Kurti ka shkruar në rrjetin social X se kjo do ta forcojë NATO-n dhe në tërësi Evropën.
Kurti tutje tha se Kosova do t’i mirëpresë ushtarët suedezë të KFOR-it, të cilët do të kontribuojnë në mbrojtjen e kufirit kundër agresionit të Serbisë.
“Urime Suedisë që u bë anëtarja e 32-të e NATO-s. Një NATO më e fortë do të thotë një Evropë më e sigurt dhe një shans më i madh për paqe pas pushtimit brutal të Ukrainës nga Rusia. Mezi presim t’i mirëpresim ushtarët e parë suedezë të KFOR-it në Kosovë për të ndihmuar në mbrojtjen e kufirit tonë kundër agresionit të Serbisë”, tha ai.
Lexo edhe: Suedia anëtarësohet zyrtarisht në NATO
Suedia është bërë zyrtarisht anëtarja e 32-të e NATO-s pasi përfundoi procesin e anëtarësimit në Uashington.
Dorëzimi i dokumenteve u bë në një ceremoni dy vjet pasi Suedia aplikoi për t’u bashkuar me aleancën ushtarake pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia.
Kryeministri suedez, Ulf Kristersson, ka deklaruar se “uniteti dhe solidariteti” do të jenë “dritat udhëzuese” të Suedisë.
Ndërsa, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë mes tjerash se “gjërat e mira vijnë për ata që presin”.