Ministrja e Jashtme suedeze, Ann Linde, ka thënë se negociatat që synojnë tejkalimin e kundërshtimit të Turqisë ndaj kërkesës së Suedisë për anëtarësim në Aleancën Veriatlantike (NATO), kanë bërë përparim.
Sipas saj, një progres më i madh lidhur me këtë mund të shënohet në samitin e NATO-s ku do të mblidhen liderët e kësaj aleance, të martën në Madrid.
“Ne jemi të përgatitur për mundësinë që diçka pozitive mund të ndodhë, por gjithashtu mund të zgjasë më shumë”, është shprehur Linde, shkruan e përditshmja Svenska Dagbladet (SvD).
Ajo ka thënë se do të qëndrojnë të durueshëm dhe do të vazhdojnë diskutimet edhe pas samitit.
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se dy shtetet po strehojnë terroristë, duke iu referuar anëtarëve të Partisë së Punës të Kurdistanit.
Nga ana e shtetit turk është theksuar se mund ta shtyjë anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO për më shumë se një vit, nëse nuk merr garanci se dy vendet nordike janë të gatshme të adresojnë çështjen e grupeve kurde në këto vende, që ajo i konsideron organizata terroriste.
Turqia aktualisht është i vetmi shtet që e bllokon anëtarësimin e Suedisë dhe të Finlandës në NATO.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, të hënën ka thënë se në samitin treditor do të arrihet pajtueshmëri për një paketë të re të ndihmës për Ukrainën në fushën e komunikimeve, sistemeve antidronë dhe naftës.
Përmes një video-linku, pjesëmarrës do të jetë edhe presidenti ukrainës, Volodymyr Zelensky, i cili pritet të mbajë një fjalim para liderëve të NATO-s dhe aleatëve të saj.
Mblidhet samiti i NATO-s për mbrojtje dhe ndihmë ndaj Ukrainës