Pamjet e kamerës i përkasin shkollës fillore “Enver Hadri” në Smrekonicë të Vushtrrisë.
Ndonëse dje ishte ditë e dielë, punonjësi teknik Xhevdet Aliu po pastronte hyrjen nga mbetjet prej renovimit që po kryhet në shkollë.
Personi tjetër që po vjen në drejtim të tij është Zeqir Haxha, pronar i kompanisë IB Group, e cila po kryen punimet.
Ai shihet teksa e godet mjetin bartës ose “kolicën” dhe e njëjta rrotullohet.
Nga e gjithë kjo ngjarje Xhavdet Aliu pretendon se i është lënduar këmba dhe madje prezanton edhe një raport mjekësor.
Deri tek fjalosja që nuk dëgjohet në video sipas Aliut ka ardhur për shkak të kritikave që ky i ka bërë nëpër rrjete sociale kompanisë për mos kryerje të obligimeve në renobimin e shkollës.
Xhevdet Aliu, punëtor teknik ka thënë se “Arsya ka qenë bërllogu i tij që e ka lënë e unë jam përgjegjës me e heq atë bërllog në shkollë, me e mirmbajt shkollën sepse për atë paguhem sepse mos me e bë atë punë edhe unë dënohem pse nuk po e kryej”
Raportimi në polici si dhe pretendimet se është lënduar po i kundërshton Zeqir Haxha. Në një bisedë përmes telefonit me RTV Dukagjin Haxha e pranon se e ka shtyrë me këmbë “kolicën” por është i bindur se nuk e ka lënduar Aliun.
Zeqir Haxha, Pronar i kompanisë ka thënë se “Deklaratën e kam dhënë në Polici, dëshmitë i kam, qashtu qysh e ka deklarua ai nuk është kërkund hiq. Ai ato i ka skenuar ose vet-lënduar ose u lëndu tjeter kund, kam dëshmi edhe e kam fotografu edhe kam dëshmi. (Bërllogun) para shkallëve ma ka sjellë, unë atëherë i kam thënë mos e bjer këtu nuk ka desht. E kam ashty kolicën ai ka deshtë me e mbush, unë vetëm e kam praptue, qajo ka qenë”
Haxha pretendon se gjatë punimeve janë penguar vazhdimisht nga Aliu, dhe për rastin thotë se pret të veprojnë organet kompetente.
Pronari i kompanisë që po kryen renovimet është intervistuar nga Policia e Kosovës dhe më pas është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa rasti është cilësuar si lëndim i lehtë trupor.
Por, sipas avokatit të Aliut, rasti duhet cilësuar ndryshe.
Kastriot Feka, Avokat ka theksuar se “Momentalisht nuk kemi informacion zyrtare nga Policia por mendojmë se duhet trajtuar si sulm në vendin e punës”
Nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë kanë thënë se është hapur rast për veprën penale “lëndim i lehtë trupror”, dhe po presin ta pranojnë kallëzimin penal.
Drejtoresha e shkollës Leonora Krasniqi-Shabani nuk pranoi të flas para kamerës por në një përgjigje me shkrim tha se e dënojnë incidentin e djeshëm dhe presin rezultatet pasi rasti është raportuar në Polici.